Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky këmbëngul për një armëpushim njëmujor, në përputhje me një propozim të paraqitur nga SHBA-të.

Zelensky ka hedhur poshtë propozimin treditor të Rusisë për armëpushim, duke e quajtur atë teatral, dhe në vend të kësaj sugjeron një armëpushim njëmujor, transmeton Telegrafi.

“Një armëpushim pa kushte është modeli i propozuar nga amerikanët. Ne po e ndjekim atë model. Qoftë në atë datë apo në një tjetër – idealisht më herët. Po, le të përpiqemi për 30 ditë. Pse një armëpushim 30-ditor? Sepse është e pamundur të arrish ndonjë marrëveshje në tre, pesë apo edhe shtatë ditë”, u tha Zelensky gazetarëve të shtunën.

Presidenti rus Vlamdimir Putin kishte propozuar një armëpushim nga 7-9 maji, kur përfaqësuesit e huaj janë ftuar në paradën vjetore të Ditës së Fitores në Moskë.

Zelensky tha se nuk do të ishte në gjendje të garantonte sigurinë e pjesëmarrësve në paradë.

“Ukraina nuk mund t’u garantojë vendeve të tjera sigurinë e përfaqësuesve të tyre gjatë udhëtimeve të tyre të planifikuara në Moskë për paradën e 9 majit, pasi pala ruse mund të ndërmarrë në mënyrë të pavarur çdo veprim kundër të ftuarve dhe t’ia kalojë fajin për këtë Ukrainës, dhe pala ukrainase, nga ana tjetër, nuk mund të jetë përgjegjëse për atë që po ndodh në Federatën Ruse”, tha Zelensky.

Ai shpjegoi se armëpushimi i propozuar nga Rusia synon thjesht të krijojë iluzionin se Putini po del nga izolimi.

Ndaj, të paktën 47 persona u plagosën në Kharkiv pasi sulmet ajrore ruse goditën Ukrainën të premten vonë, thonë zyrtarët lokalë.

Dronët dëmtuan ndërtesa banimi, infrastrukturë civile dhe automjete të shumta.

Pas sulmit, Zelensky kërkoi mbështetje më të fortë dhe më vendimtare nga aleatët e vendit.

“Ndërsa bota heziton me vendimet, pothuajse çdo natë në Ukrainë shndërrohet në një makth, duke kushtuar jetë. Ukraina ka nevojë për mbrojtje ajrore të forcuar. Nevojiten vendime të forta dhe të vërteta nga partnerët tanë – Shtetet e Bashkuara, Evropa, të gjithë partnerët tanë që kërkojnë paqe”, shkroi ai në X në orët e para të së shtunës.

Forcat Ajrore ukrainase thanë të shtunën se Rusia qëlloi 183 dronë. Nga këto, 77 u kapën nga mbrojtja ukrainase, ndërsa 73 të tjerë u humbën, me shumë mundësi pasi ishin bllokuar elektronikisht.

Forcat Ajrore raportuan gjithashtu se Rusia lëshoi ​​dy raketa balistike. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 170 dronë ukrainas gjatë natës.