Çështja shqiptare, si një prej kolonave që e mbanë peshën e
stabilitetit të brendshëm, mbetet ende një provë e pazgjidhur e
përfshirjes reale. Retorika për barazi dhe integrim mbetet pjesë e
fjalorit institucional, por zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit,
shpërndarja e burimeve dhe përfaqësimi efektiv nuk arrijnë të
tejkalojnë mekanizmat selektivë. Në vend të një shteti
gjithëpërfshirës, krijohet një rend ku bashkëjetesa mbetet e
kushtëzuar nga kalkulimet politike afatshkurtra.

Nga Prof. dr Skender ASANI

Çështja shqiptare, si një prej kolonave që e mbanë peshën e
stabilitetit të brendshëm, mbetet ende një provë e pazgjidhur e
përfshirjes reale. Retorika për barazi dhe integrim mbetet pjesë e
fjalorit institucional, por zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, shpërndarja e
burimeve dhe përfaqësimi efektiv nuk arrijnë të tejkalojnë mekanizmat
selektivë. Në vend të një shteti gjithëpërfshirës, krijohet një rend ku
bashkëjetesa mbetet e kushtëzuar nga kalkulimet politike afatshkurtra.

Në realitetin politik të Ballkanit Perëndimor, dukjet shpesh vijnë në
konflikt me përmbajtjen. Maqedonia e Veriut është shembulli ilustrues
i një shteti që, ndërkohë që projekton një imazh të përkushtuar ndaj
vlerave euroatlantike, në thelb përballet me sfida strukturore që
rrezikojnë të zhbëjnë kapitalin e akumuluar diplomatik dhe shoqëror.
Kjo ambivalencë – mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet – është
ndoshta më e prekshme se kurrë pas zhvillimeve të fundit politike.

Analogjia mes sheqerit dhe kripës – dy substanca me formë të
ngjashme, por me ndikim të kundërt – ofron një qasje të goditur për të
shpjeguar ndarjen e madhe midis diskursit politik dhe praktikës

qeverisëse në vend. Demokracia e etabluar përmes zgjedhjeve,
bashkëjetesës dhe integrimit, shpesh shërben si veshje për një realitet
të polarizuar, ku mungesa e konsensusit strategjik dhe tensionet
etnike mbeten të paprekura.

Kjo qasje duale ka tërhequr gjithnjë e më tepër vëmendjen e faktorit
ndërkombëtar, i cili, në mungesë të një progresi të qëndrueshëm, ka
filluar të artikulojë vërejtje më të qarta dhe më pak të kamufluara. Në
këtë drejtim, vlen të përmendet deklarata e fundit e eurokomisares për
zgjerim, Marta Kos, e cila për Maqedoninë e Veriut tha se “në sytë e
Bashkimit Evropian ajo përfaqëson një përrallë të trishtë në Ballkan”.
Ky formulim, që tejkalon gjuhën standarde diplomatike, nuk është
thjesht një shprehje poetike, por një sinjal i qartë i zhgënjimit që vjen
nga mospërputhja ndërmjet premtimeve institucionale dhe realitetit në
terren. Ai reflekton perceptimin në rritje se përkushtimi formal ndaj
vlerave evropiane nuk mjafton kur mungojnë reformat substanciale
dhe qasja gjithëpërfshirëse ndaj sfidave të brendshme.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, është vënë re një kthesë
diskrete, por domethënëse, në mënyrën se si Maqedonia e Veriut si
shtet e artikulon veten në hapësirën publike dhe diplomatike. Disa
vendime dhe qëndrime publike të kohëve të fundit mund të lexohen si
përpjekje për të projektuar një autoritet të forcuar ndaj dy palëve:
qytetarëve shqiptarë në vend dhe fqinjit lindor. Kjo qasje, që shfaqet
më tepër në nivel simbolik sesa institucional, e shndërron Maqedoninë
e Veriut në një lloj paravani për projeksionin strategjik të partnerit
verior, duke transmetuar mesazhe të koduara që rrisin tensionet në
vend të reduktimit të tyre.

Në këtë tabllo të brishtë, zhvillimet e fundit në marrëdhëniet
ndërkombëtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të
Amerikës kanë krijuar një tension të ri që ndikon drejtpërdrejt edhe në
periferinë ballkanike. Prishja e ekuilibrit tradicional mes dy poleve të

mëdha transatlantike – një tension që manifestohet si në çështjet e
mbrojtjes, ashtu edhe në ato të energjisë dhe teknologjisë – krijon një
zonë gri për shtete si Maqedonia e Veriut, të cilat ndërtojnë strategjitë
e tyre të jashtme mbi pritshmëri të qarta nga Perëndimi. Fragmentimi i
pozicioneve ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit, sidomos mbi çështje
të ndjeshme si Ballkani dhe zgjerimi, nuk lë vend për paqartësi:
shtetet e vogla mbeten gjithnjë të ekspozuara ndaj ndikimeve të
jashtme, shpesh kontradiktore.

Ky ekspozim bëhet edhe më kompleks në sfondin e lëvizjeve të fundit
financiare, ku Maqedonia e Veriut ka marrë një hua të
konsiderueshme nga Hungaria – një shtet anëtar i BE-së i udhëhequr
nga Viktor Orbán, i njohur për pozicionimet e tij divergjente ndaj
normave standarde të unionit dhe për afërsinë me modele autoritare
të qeverisjes. Kjo marrëveshje financiare, e karakterizuar nga
mungesa e transparencës dhe shoqëruar me pak sqarime publike,
ngre pikëpyetje serioze mbi motivet strategjike dhe kushtëzimet e
mundshme që mund të rrjedhin nga kjo varësi e re. Në planin
afatshkurtër, ajo mund të shfaqet si zgjidhje pragmatike për mungesën
e kapitalit në tregjet ndërkombëtare; por në planin afatgjatë, rrezikon
të vendosë Maqedoninë e Veriut në një orbitë ndikimi që nuk
përputhet plotësisht me vlerat dhe pritshmëritë euroatlantike. Krijimi i
kësaj varësie nga një qeveri që shpesh sfidon konsensusin
demokratik të Brukselit, mund të dëmtojë kredibilitetin e Maqedonisë
në sytë e partnerëve tradicionalë dhe të krijojë perceptimin e një
devijimi të butë, por të qëndrueshëm, nga rruga e integrimit të pastër
evropian.

Këtë pasqyrë e kompleton edhe heshtja ose mungesa e iniciativës së
qartë ndaj zhvillimeve të reja në fushën e sigurisë rajonale.
Marrëveshja e fundit mes tre shteteve të rajonit (Shqipëri, Kosovë,
Kroaci) për krijimin e një mekanizmi të përbashkët të sigurisë – që
synon shkëmbimin e informacionit, koordinimin strategjik dhe
mbrojtjen kolektive ndaj kërcënimeve hibride – ka hapur një kapitull të

ri në arkitekturën e bashkëpunimit ballkanik. Mospjesëmarrja e
Maqedonisë së Veriut në këtë proces nuk është vetëm mungesë e
përfaqësimit formal, por bart me vete një rrezik më të thellë: që vendi
të perceptohet si hallka më e dobët e zinxhirit të sigurisë rajonale, ose
më keq – si zgjatim i heshtur i interesave që nuk përputhen me frymën
e bashkëpunimit të hapur. Në këtë kontekst, përjashtimi nga
mekanizmat e reja nuk është neutralitet, por vetëizolim me pasoja
afatgjata.

Po aq i rëndësishëm mbetet edhe adresimi i trashëgimisë së
padrejtësive institucionale të dekadave të fundit, të mishëruara
përmes një vargu procesesh të diskutueshme gjyqësore, të cilat kanë
ngritur dyshime të thella mbi integritetin e sistemit të drejtësisë. Rastet
e montuara politike, që për vite me radhë kanë prodhuar dënime ndaj
individëve nga komunitete të caktuara, ku dominojnë shqiptarët, nuk
janë vetëm plagë njerëzore, por edhe plagë morale për shtetin. Një
shtet që aspiron drejt integrimit dhe barazisë nuk mund të mbajë në
qeli ata që janë viktimë e padrejtësisë së fabrikuar. Është koha që
këto raste të trajtohen me seriozitet institucional përmes një procesi të
pavarur rishqyrtimi, i cili jo vetëm që do të përkthehej në lirimin dhe
rehabilitimin e të dënuarve pa faj, por edhe në një akt simbolik të
maturimit shtetëror. Kompensimi dhe pranimi i gabimeve nuk e
dobëson shtetin – përkundrazi, e forcon legjitimitetin e tij.

Kjo dinamikë nuk është pa pasoja në planin ndërkombëtar.
Marrëdhëniet me Bullgarinë, të ngarkuara me tensione identitare, dhe
implementimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, vazhdojnë të
jenë fusha të pasigurta ku retorika e diplomacisë shpesh mbivendoset
mbi mungesën e thellësisë politike. Pozat e përbashkëta në samite
dhe deklaratat e balancuara nuk mund të zëvendësojnë mungesën e
përmbajtjes konsensuale mbi identitetin, gjuhën apo historinë.

Nga ana tjetër, kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve për reforma reale – në
sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e
institucioneve – hasin shpesh në një rezistencë të butë, por të
qëndrueshme. Aktorët politikë në vend, ndonëse shfaqen të gatshëm
për ndryshim në diskursin publik, në praktikë ruajnë një status quo të
mbështetur në rrjete klienteliste. Kështu, edhe fjalori reformues
shndërrohet në një tjetër formë sheqeri diplomatik që mbulon kripën e
interesave të ngushta.

Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut gjendet në një udhëkryq delikat,
ku jo vetëm që përballen kërkesat e brendshme me pritshmëritë e
jashtme, por edhe vetë identiteti politik i shtetit rrezikon të
instrumentalizohet në funksion të projeksioneve të tjerëve. Për të mos
u reduktuar në një mjet simbolik të gjeopolitikës rajonale, vendit i
nevojitet një rikonfigurim i thellë i qasjes ndaj bashkëjetesës dhe një
diplomaci që buron nga realiteti i brendshëm, jo nga diktati i fasadës.

Për rrjedhojë, ashtu si në kuzhinë, edhe në politikë dhe diplomaci,
dallimi midis sheqerit dhe kripës nuk bëhet me sy – por me shije. Dhe
shijen e politikave të vërteta e përcakton ndikimi i tyre në mirëbesimin
shoqëror, stabilitetin institucional dhe avancimin e qëndrueshëm.