Është koha për një reaksion rrënjësor, për një shkundje të themeleve të BFI-së. Fakulteti i Shkencave Islame duhet të çakreditohet menjëherë, të çlirohet nga pazaret me shtetin dhe të rikthehet në një institucion autentik për formimin e medresantëve

Nga Mr. Abaz Islami

Kur regjimi i Nikola Gruevskit promovoi idenë për futjen e një lënde mbi fetë dhe kulturat fetare në arsimin fillor publik, u pretendua se po i jepej shoqërisë një mundësi për edukim ndërfetar, për njohje dhe tolerancë. Në të vërtetë, ky projekt nuk ishte gjë tjetër veçse një grackë, një minë me sahat e montuar me kujdes për të dëmtuar afatgjatë komunitetet fetare, në veçanti Bashkësinë Fetare Islame (BFI) të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sot, kur kjo minë ka shpërthyer me gjithë fuqinë e saj, askush nuk e mban përgjegjësinë. Përkundrazi, fajtorët kryesorë vazhdojnë të sillen si shpëtimtarë të kombit dhe fesë.
Me qëllim që të përzgjidheshin mësimdhënës për këtë lëndë të re, u vendos që ata të ishin të diplomuar nga fakultete teologjike të akredituara. Ky kusht i shtyrë nga pushteti, e detyroi BFI-në dhe bashkësitë tjera fetare të hyjnë në një proces absurd dhe të padrejtë: akreditimin e fakulteteve fetare, si kusht për të legjitimuar praninë e tyre në sistemin arsimor të shtetit. Dhe ky është fillimi i komedisë tragjike që përfundoi në dështim total, jo për shtetin, por për vetë bashkësinë islame.
Sa u hap dera për akreditime, u mbyll dera e madhe për nxënësit e shkollave të mesme fetare. Ligji për arsim parashikonte qartë: nxënësit e shkollave të mesme fetare nuk kanë të drejtë të regjistrohen në universitetet publike të vendit. Një ndalim i tillë, i heshtur por brutal, i shndërroi medresantët në qytetarë të dorës së dytë. Me këtë akt, shteti i hoqi çdo të drejtë për të ndjekur arsim të lartë në vendin e tyre, duke i përjashtuar nga jeta akademike e shoqërisë.
Në këtë situatë paradoksale, ndodhi absurdi tjetër: kemi një fakultet të akredituar të Shkencave Islame, por pa studentët që duhet ta mbushnin atë – pa medresantët! Kush do të regjistrohet në këtë fakultet? Një i diplomuar nga gjimnazet e përgjithshme që nuk ka as bazën më elementare teologjike? A do ta mësojë teologjinë nga fillimi, nga zeroja? Dhe më pas të dalë teolog e të predikojë për një fe që s’e ka përjetuar kurrë akademikisht, praktikisht, as shpirtërisht?
Në vend që të mobilizonte të gjitha resurset për ta mbrojtur Medresenë, për ta institucionalizuar dhe për t’i dhënë asaj status të barabartë në sistemin arsimor, Shaqir Fetai, i ashtuquajturi “kryetar i BFI-së”, ndërmori një veprim të turpshëm e kriminal: e mbylli Medresenë tradicionale dhe në vend të saj regjistroi një gjimnaz privat, me qëllim që ta kalonte si “shkollë e akredituar” në sistemin publik. Me këtë manovër, ai jo vetëm që e përçudnoi historinë e shkollës fetare më të rëndësishme në vend, por edhe e shkatërroi të ardhmen e qindra nxënësve që besuan në BFI dhe në drejtuesit e saj.
Por farsa nuk zgjati shumë. Gjykata Kushtetuese u shpreh qartë dhe prerë: komunitetet fetare nuk kanë të drejtë të themelojnë gjimnaze publike. Ky ishte fundi i kësaj aventure mashtruese të Shaqir Fetait, që s’u ndal as para historisë, as para fesë, as para të ardhmes së rinisë islame. Ai i vuri zjarrin sistemit të arsimit fetar për të marrë një copëz të vogël legjitimiteti që nuk i takon.
Të gjitha këto rrënime, të gjitha këto pazare të pista, u bëkërkan për… 80 mijë euro në vit, të destinuara për “projekte shkencore” të Fakultetit të Shkencave Islame. Pra, interesi i medresantëve, fëmijëve që studiuan me përkushtim islamin që në moshë të vogël, u shit për një shumë qesharake që nuk mbulon as harxhimet mujore të një ministri.
Ndërkohë që buxheti i BFI-së grumbullohet nga kontributet e besimtarëve — fitri, zeqati, haxhi, kurbani, anëtarësia — të cilët japin me bindjen se po mbështesin edukimin islam të brezave të rinj, këto fonde po përvetësohen në mënyrë të pamoralshme dhe përdoren për mbajtjen e një fakulteti që i ka kthyer shpinën vetë bazës së tij: medresesë.
Është koha për një reaksion rrënjësor, për një shkundje të themeleve të BFI-së. Nuk mund të vazhdohet më me këtë mashtrim të përditshëm që i bëhet komunitetit. Fakulteti i Shkencave Islame duhet të çakreditohet menjëherë, të çlirohet nga pazaret me shtetin dhe të rikthehet në një institucion autentik për formimin e medresantëve. Përndryshe, do të kemi një fakultet të zbrazët, pa studentë të përgatitur, dhe një bashkësi që do të importojë “teologë” nga jashtë, ose më keq — do të mbetet pa kuadro fetare fare.
Nëse Shaqir Fetai nuk është në gjendje ta realizojë këtë rikthim te rrënjët, atëherë le të largohet menjëherë nga posti. Sepse ai nuk është më përfaqësues i interesit të besimtarëve, por simbol i tradhtisë së heshtur, i një njeriu që për disa mijëra euro buxhet i shiti idealet, historinë dhe të ardhmen e arsimimit islam në këtë vend.
Mjaft më! Boll me fakultete për dekor dhe për tenderë! Kemi nevojë për institucione reale, për medrese që edukojnë, për fakultete që formojnë dhe për udhëheqës që sakrifikojnë – jo që shesin!