Në një moment historik për të ardhmen e Kishës Katolike, kardinalë nga e gjithë bota do të mblidhen të mërkurën në Kapelën Sistine për të zgjedhur Papën e ri, në një proces të mbyllur e sekret, të njohur si konklav.
Çështja qëndron nëse ata do të zgjedhin një pasardhës që do të vazhdojë rrugën progresive të Papa Françeskut, apo një zë konservator që do ta çojë kishën në një drejtim të ri.
Papa Françesku u bë i njohur për hapjen ndaj komunitetit LGBTQ+, për qëndrimet e tij në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve, për shqetësimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe për qasjen më të butë ndaj çështjeve morale, si divorci dhe mëkatet personale. “Kush jam unë që të gjykoj?”, ishte shprehja që përcaktoi tonin e papatit të tij.
Pasuesi i tij do të përballet me sfida të mëdha, përfshirë qëndrimin e Kishës ndaj barazisë gjinore, përfshirjen e grave në hierarkinë fetare, dhe vendimet për vazhdimin ose tërheqjen nga reformat e Papa Françeskut.
Mes emrave më të përfolur janë:
• Kardinali Pietro Parolin, një diplomat i aftë, por me qëndrime më konservatore ndaj çështjeve LGBTQ+ dhe gjinore;
• Kardinali Luis Antonio Tagle, nga Filipinet, i afërt me vizionin e Papa Françeskut dhe një zë i fortë për përfshirje dhe dhembshuri;
• Kardinali Fridolin Ambongo Besungu, nga Kongo, i përkushtuar ndaj drejtësisë sociale por me qëndrime të rezervuara ndaj çifteve të së njëjtës gjini;
• Kardinali Matteo Zuppi, një nga figurat më progresive, me përvojë në ndërmjetësime paqeje dhe mbështetës i komunitetit LGBTQ+;
• Kardinali Péter Erdő, i vendosur në mbrojtje të vlerave tradicionale dhe i lidhur me linjën konservatore të kishës.
Me botën në vëmendje dhe Kishën në një udhëkryq të rëndësishëm, rezultati i këtij konklavi pritet të ketë ndikim të gjerë jo vetëm për 1.3 miliardë katolikët në mbarë botën, por edhe për drejtimin moral dhe politik që Vatikani do të mbajë në dekadat e ardhshme./Euronew