Maqedonia e Veriut, një shtet i vogël por i ngarkuar me histori dhe sfida të mëdha, ka pasur shumë kryeministra e figura të larta politike që hynë në pushtet si “shërbëtorë të popullit” dhe dolën si milionerë të pakapshëm nga drejtësia, shkruan agjencia e lajmeve INA.
Kjo është një histori që nuk shkruhet nëpër libra, por që flet në heshtje nga pallatet, resortet dhe pasuritë marramendëse të ish-politikanëve.
Njëri prej tyre, i njohur si tregtari, e fitoi milionin e parë duke shitur shalqinj e domate. U ngjit në politikë, u dashurua me një vajzë të re dhe nisi të udhëtonte me avionë privatë. Sot, pasuria e tij është legjendë urbane, por asnjëherë objekt hetimi.
Tjetri, i ftohtë dhe i kalkuluar, zhduku miliona euro nga fondet publike. Mori nënshtetësinë bullgare, nisi të shëtisë botën dhe, me kalimin e kohës, filloi të merret me poezi. Duket se ndërsa qytetarët luftonin për bukën e gojës, ai reflektonte mbi metaforat dhe ritmet e jetës së rehatshme.
Një tjetër figurë e lartë politike, përmes privatizimeve të dyshimta të sektorit të mbrojtjes, shiti pjesë të armatimeve dhe u pasurua shpejt. Sot, ai shfaqet me kollare akademike, ligjëron në universitete si një “profesor i nderuar”, ndërsa e kaluara e tij heshtet me respekt të frikshëm.
Njëri nga liderët politikë i privatizoi të gjitha fabrikat shtetërore. I shkatërroi përmes vendimeve të koordinuara dhe më pas miqtë e tij i blenë me çmime qesharake. Ai nuk u ndëshkua kurrë. Madje u promovua si reformator.
Dhe më i freskët ndër ta: erdhi në skenë si një boksier me brekë të shqyera, u paraqit si zë i të varfërve. U kthye në ikonë populiste, u pasurua përtej çdo logjike dhe në fund iku si azilant në një shtet të BE-së, duke kërkuar strehim nga vetë vendi që e bëri milioner.
Të gjithë këta njerëz e drejtuan Maqedoninë, e vodhën Maqedoninë dhe shpëtuan pa përgjegjësi. Asnjëri nuk u gjykua. Asnjëri nuk e pagoi çmimin për dëmin që i shkaktuan vendit. Dosjet e tyre u zhdukën, veprat u vjetërsuan, dëshmitarët u lanë në heshtje, ndërsa populli u përball me varfëri, zhgënjim dhe emigracion.
Por historia ka kujtesë më të gjatë se drejtësia selektive. Ajo që sot heshtet, nesër do të kërkojë përgjigje. Dhe ndërsa shteti përpiqet të mbijetojë në kaos institucional e krizë morale, fati i tij varet nga një pyetje themelore: A do të ketë ndonjëherë drejtësi për ata që e vodhën me duar të bardha?
Nuk duhet harruar se gjithë këto vite ka pasur edhe politikanë shqiptar që kanë bërë miliona në emër të kauzës shqiptare. Të njëjtit duhet të japi llogari për veprat e tyre të shëmtuara korruptive. Dënimi dhe largimi i tyre nga skena politike do to pastronte imazhin e politikës shqiptare.