Vetëm një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin priti aleatët në paradën e Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq, liderët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë kanë arritur në Kiev për bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Jemi në rrugë për në Kiev. Për Ukrainën, për Evropën”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron, duke publikuar një fotografi të përbashkët me kryeministrin britanik, Keir Starmer, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministrin polak, Donald Tusk.

Tema kryesore në Kiev do të jetë propozimi amerikan dhe evropian për një armëpushim 30-ditor në luftën ruse në Ukrainë, i cili, nëse refuzohet nga Moska, do të pasohet me vendosjen e përbashkët të sanksioneve të reja, tha një burim diplomatik francez, duke shtuar se ky hap ende nuk është finalizuar.

Kjo është gjithashtu hera e parë që udhëheqësit e këtyre katër vendeve organizojnë një vizitë të përbashkët në Ukrainë, në një moment të paparashikueshëm diplomatik gjatë më shumë se tre viteve të luftës ruse kundër Ukrainës.

“Së bashku me SHBA-në, i bëjmë thirrje Rusisë të pranojë një armëpushim të plotë dhe pa kushte për 30 ditë, për të krijuar hapësirë për bisedime drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, deklaruan liderët evropianë në një deklaratë të përbashkët.

Donald Trump është shprehur në favor të një paqeje të shpejtë, pasi, që nga hyrja në Shtëpinë e Bardhë në janar, ka rrëzuar politikën e paraardhësit të tij.

Pas përfshirjes së drejtpërdrejtë me zyrtarët rusë, përplasjes publike me Zelenskyn dhe ndërprerjes së përkohshme të ndihmës jetike ushtarake për Ukrainën, administrata Trump ka përmirësuar marrëdhëniet me Kievin dhe ka nënshkruar një marrëveshje të vështirë për burimet minerare.

Trump ka kërcënuar gjithashtu me vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Rusisë, por ka deklaruar se mund të tërhiqet nga përpjekjet për paqe nëse nuk ka përparim.

Të enjten, ai bëri thirrje për një armëpushim 30-ditor, të cilën gjë Zelensky tha se do të ishte i gatshëm ta zbatonte menjëherë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, u citua të premten duke thënë se Rusia e mbështet zbatimin e një armëpushimi 30-ditor në konflikt, por vetëm duke marrë parasysh “nuancat” përkatëse.