Dje dështoi edhe përpjekja e 13’të për të konstituar kuvendin. Ngjarja rrodhi pak a shumë si herët e fundit, pasi Kryesuesi i Seancës së Kuvendit, Avni Dehari, kërkoi nga partitë që të propozojnë nga një anëtarë për Komision rreth ndryshimit të procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Pasi askush nga PDK s’u paraqit në foltore, shefja e GP të LDK-së, Hykmete Bajrami, doli dhe tha se Dehari mund t’i ftojë edhe 48 herë të tjera, por që gjërat s’mund të ndryshojnë.
Dehari më pas ka ndërhyrë duke thënë se s’ka të drejtë të flasë dhe se duhet t’i ndalet mikrofoni deputetes Hykmete Bajrami.
“Dola këtu për të thënë që mundesh me na thirrë edhe 48 herë cdo 48 orë..”, ka thënë Bajrami.
Pas dështimit, kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën dhe njoftoi se e njëjta do të vazhdojë të dielën më 11 maj në ora 10:00.
Kandidatja e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV’së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
Përpjekja tjetër për konstituim vazhdon të dielën, në 10:00.