Të gjithë mediat i bënë jehonë parashikimit të Edi Ramës në Kuç të Vlorës. Mbi një mbulesë të vajosur tavoline të një klubi fshati ai parashikoi se PS shkonte nga 74 deputetë, sa ka sot, deri në 78. Pra sipas kryeministrit partia e tij e ruan mazhorancën që ka aktualisht dhe fiton mandate të reja në Dibër, Shkodër, Elbasan, Fier.

Po cilat janë në fakt qarqet ku rezultati mund të përmbyset në favor të njërës apo tjetrës palë?

Lapsi.al ka bërë një llogari të përafërt nisur edhe nga lëvizjet e vouesve në zgjedhjet e mëparshme.

Le të nisim me atë që pretendon Rama.

Ai pretendon se do të fitojë një deputet në qarkun e Dibrës, pasi ky është një qark me numër tek të zgjedhurish (5 pesë). Pra mjafton që të marrësh edhe një votë më shumë për të pasur 3 deputetë. Dhe duke u nisur se në 2021 opozita e fitoi të tretin në Dibër vetëm me mbi 200 vota, Rama e sheh të mundshme përmbysjen. Por në këtë llogari të tij nuk numërohen votat e lSI-së së dikurshme e cila para katër vitesh nuk ishte në koalicion me PD dhe votat i digjeshin. Nëse sot partia e Lirisë ruan më shumë se gjysmat e votave, pretendimi i Ramës bëhet më i vështirë.

Përpos Dibrës PS pretendon të marrë një më shumë edhe në Shkodër (11 deputetë), nga të cilët PS ka pasur tre të sajët. Duke qenë se Rama ka blerë Agron Çelën e LSI-së dhe ka futur kandidate në listë vajzën e tij, ai pretendon ta shtojë një mandat. Këto vota ai shpreson ti shtojë edhe përmes luftës së fortë që i ka hapur PSD të Tom Doshit, me administartë dhe polici, duke i hequr një nga dy mandatet që ata morën në 2021-shin.

Një mandat tjetër socialistët e pretendojnë në Fier ku për të arritur këtë qëllim kanë vënë Belinda Ballukun që po inveson në mënyrë marramendëse. Ajo ka ngritur një skemë të fortë patronazhimi edhe me emigranëtët në Greqi me objektivin për të fituar 10 mandate nga 16 gjithsej që ka ky qark (para katër vitesh PS kishte 9). Përpos emigrantëve Balluku po rekruton vota dhe njerëz nga ish LSI-a, ka bërë të vetën familjen e një aktori lokal, si si ish kryebashkiaku i Mallakastrës Kapllanaj dhe ka futur në listat e saj një ish kandidat të çamëve që më parë ka bërë vota për opozitën.

Deputetin e katërt plus Rama pretendon ta nxjerrë nga Elbasani ku grupet kriminale po punojnë më fort se kudo. Shpresën e PS e rrit fakti se për të arritur deputetin e 9 (nga tetë që kishte në 2021) mes 14 mandateve që ka ky qark, ajo vjen me nje tepricë votash shume me të madhe seç i duhet për të shkuar drejt të nëntit. Dhe këtë shpreson ta arrijë me gryerjen e partisë së Lirisë, votën e emigrantëve dhe duke u përpjekur të ruajë faktorin çam të Qifes, më të cilin marëdhëniet nuk janë si më parë.

Nëse këto projekte do të realizoheshin maksimalisht PS mund të mbërrinte në 78 deputetë. Por ama nga 74 që ka aktualisht mund të bëhet edhe skenari i numërimit mbrapsht. Një deputet sipas të gjitha gjasave do të humbet në Korçë për arsye se ky qark është ulur me një mandat për shkak të tkurrjes së popullsisë. Pra Korça ka gjasë të dalë barazim 5 me 5 nëse nuk ndodh ndonjë çudi me votën e emigrantëve. Po ashtu në pikpyetje është edhe Durrësi kur për më pak se 200 vota, LSI humbi në 2021 një mandat që i kaloi PS-së. Nëse në zgjedhjet e kaluara socialistët futuan 8 me 6, tani që aq vota sa mund ti mbeten ish LSi-së janë në thesin e koalicionit opozitar, ky rezultat edhe mund të ndryshojë. Për ta evituar këtë skenar Durrësi është rrethi i dytë me një prezencë të fortë të grupeve kriminale. I tillë duket të jetë edhe Berati ku ndonëse arriti të marrë 5 nga shtatë mandate gjithsej, PS-ja e mbërriti te ky rezultat vetëm falë një grushti votash që i dogjën mandatin LSI-së. Tanimë Partia e Lirisë është në të njëjtin koalicion opozitar dhe mendohet se nje faktor i fortë lokal si Lefter Maliqi ti ruajë një pjesë të madhe të votave të dikurshme duke e reduktuar humbejen e opozitës në 3 me 4.

Nëse prezenca e partive të reja në opozitë i gërryen PS me shumë se një mandat në Tiranë (ku PS arriti të marrë 18 deputetë, ndërsa sot është shtuar një mandat që i është hequr Korçës) atëherë në skenarin më pesimist PS-ja mund ta humbasë shumicën paralmentare.

Por të gjitha këto llogari të Lapsi.al janë bërë pa marrë parasysh lëvizjet e zakonshme të elektoratit dhe sidomos një të panjohur të madhe ndikimin për herë të parë të votës së diasporës.