Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar të dielën se zjarri i madh që shkatërroi pothuajse tërësisht qendrën tregtare “Marywilska” në Varshavë në maj të vitit 2024, ishte i qëllimshëm dhe i urdhëruar nga shërbimet sekrete ruse.
“Ne tashmë e dimë me siguri që zjarri i madh në Marywilska ishte rezultat i një zjarrvënieje të qëllimshme, e urdhëruar nga shërbimet ruse. Veprimet janë koordinuar nga një person që ndodhet në Rusi. Disa nga autorët janë tashmë në paraburgim, ndërsa të tjerët janë identifikuar dhe janë në kërkim”, shkroi Tusk në rrjetin X.
Zyrtarët polakë thanë se Polonia është bërë shënjestër e sulmeve sabotazhi nga Rusia si pjesë e një “lufte hibride” për të destabilizuar vendet që mbështesin Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
Këto veprime përfshijnë zjarrvënie të qëllimshme dhe sulme kibernetike.
Sipas ministrit të Drejtësisë, Adam Bodnar, dhe ministrit të Brendshëm, Tomasz Siemoniak, hetuesit polakë po bashkëpunojnë edhe me autoritetet e Lituanisë, ku disa nga të njëjtët autorë kanë kryer akte të tjera sabotazhi.
“Kemi njohuri të detajuara për mënyrën si u porosit dhe si u realizua zjarrvënia, si dhe për mënyrën se si autorët e kanë dokumentuar veprimin. Ata kanë vepruar në mënyrë të organizuar, nën drejtimin e një personi të identifikuar që ndodhet në Federatën Ruse”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave polakë, raporton Reuters.
Në muajin mars, prokuroria e Lituanisë kishte akuzuar inteligjencën ushtarake ruse për zjarrvënien e qëllimshme në një dyqan IKEA në Vilnius, vetëm tre ditë para se të ndodhte zjarri në qendrën tregtare në Poloni.
Rusia ka mohuar përfshirjen në këto zjarrvënie.