Kryeministri në dorëheqje Albin Kurti, ka pritur sot në zyrë diplomatët e pesë vendeve (SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali) që njihen si QUINT dhe shefin e Zyrës së BE’së. Takimi është mbajtur një ditë para seancës së re të Kuvendit që mblidhet për të pesëmbëdhjetën herë në përpjkeje për t’u konstituuar. Po ashtu sot (AAK e ndihmuar nga PDK dhe LDK), e kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese çështjen e ndryshimit të mënyrës së votimit të cilën e ka futur në agjendë Avni Dehari i VV’së që po i kryeson mbledhjet.

Pas takimit, e para që ka lëshuar njoftim është Zyra e Kryeministrit në largim e cila ka thënë se temë kryesore me QUINT dhe BE ka qenë anëtarësimi i Kosovës në KiE, i cili ka mbetur në gjysmë për shkak se Qeveria ka refuzuar ta përmbush kërkesën e këtyre pesë vendeve për ta çuar përpara themelimin e Asociacionit.

Kurti në njoftim ka folur ekskluzivisht për këtë cështje ndërsa për formimin e qeverisë të cilën QUINT më vonë e konfirmoi si temë kryesore, Kurti s’tha asgjë në mënyrë eksplicite.

“Gjatë takimit, gjithashtu u diskutua edhe për rrugën përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e fundit në vend”, njoftoi ZKM në largim.

Sidoqoftë version krejt tjetër dhanë diplomatët që ishin me Kurtin.

Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves reagoi i pari duke e “zbuluar temën”.

“Sot pasditë e takova kryeministrin në detyre Albin Kurti me ambasadorët e tjerë të QUINT’it. E inkurajova për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re për të vepruar në interes të Kosovës dhe popullit të saj duke bërë progres në çështjet jetike, siç është zhbllokimi i financimit dhe procedimi drejt integrimit euro-atlantik”, shkroi Hargreaves.

Pas tij u deklarua edhe Ambasada e Italisë.

“Sot ambasadorët e QUINT-it janë takuar me kryeministrin në detyrë Kurti. Është theksuar nevoja për të formuar sa më shpejt një qeveri të re, që Kosova të ecën para drejt prioriteteve kyç si avancimi drejt integrimit Euro-Atlantik.”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gjermanët po ashtu thanë se mesazhi kryesor që QUINT e çoi tek Kurti ishte formimi i Qeverisë.

“Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme që është e aftë të marrë vendime”, i është thënë Kurtit, ka njoftuar Ambasadori Jorn Rohde i cili ka treguar se te Kurti sot ka shkuar zëvendësi i tij.

“Shumë detyra të rëndësishme shtëpiake dhe në sferën ndërkombëtare presin dhe nevojitet përparim në çështjet jetike…Ky ishte mesazhi kryesor që Zëvendësi im përcolli së bashku me kolegët e Quint-it në një takim me Kryeministrin në Detyrë Kurti”, ka shkruar Rohde.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA’së Anu Prattipati e cils ishte pjesë e takimit ka kërkuar në takim që “Liderët politikë të punojnë së bashku për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë”.

Shefi i zyrës së BE’së Aivo Orav i cili po ashtu oshte në takimin me “Kryeministrin në largim” shkroi në “X” se Kosovës i duhet qeveri funksionale për përparim në integrimet evropiane.

“Nga status quoja aktuale nuk përfiton askush” vazhdoi ai.