MPB njofton se Sektori i Krimit Kibernetik në Byronë e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme ka vërejtur kohët e fundit një dukuri të shpeshtë të të ashtuquajturave sulme fishing përmes email-it, në të cilat emrat e disa kompanive maqedonase keqpërdoren me qëllim mbledhjen e paautorizuar të të dhënave prej tyre. Këto mesazhe pretendojnë në mënyrë të rreme se keni kryer shkelje të të drejtave të autorit dhe përmbajnë linqe fishing për dokumentacion të supozuar ose kërkesa për të ndërmarrë veprime.

“Është e rëndësishme dhe domethënëse që qytetarët, gjegjësisht kompanitë, të dinë se mesazhi nuk është dërguar nga kompania e vërtetë, të mos klikojnë në linqe ose bashkëngjitje në mesazh, të mos i përgjigjen mesazhit, të mos ndajnë informacione personale dhe ta fshijnë menjëherë mesazhin”, thonë nga MPB.

Sektori i Krimit Kibernetik në Ministrinë e Brendshme po merr masa dhe po zhvillon procedura në mënyrë aktive në lidhje me mashtrimet e tilla. Nëse keni marrë një mesazh të tillë ose jeni viktimë e një mashtrimi të ngjashëm në internet, raportojeni menjëherë rastin në stacionin më të afërt të policisë.

Përpjekjet për “fishing” zakonisht vijnë nëpërmjet email-it, por edhe nga rrjetet sociale, nëpërmjet mesazheve SMS ose nëpërmjet telefonatave.

“Prandaj, Ministria e Brendshme, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve, të dhënave të tyre personale dhe keqpërdorimit të mundshëm dhe pasojave që mund të lindin, bën thirrje për kujdes gjatë marrjes së mesazheve të tilla, që të mos bien pre e mashtrimeve të këtij lloji dhe të mos ndajnë e shkëmbejnë të dhënat e tyre personale me persona të panjohur, si dhe me persona identiteti i vërtetë i të cilëve nuk mund të përcaktohet, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të mëtejshëm të tyre”, bëjnë thirrje nga MPB.

Me thirrje të ngjashme MPB doli edhe në fillim të muajit prill. Atëkohë MPB njoftoi se dërgoheshin faturave të rreme për pagesë të mjeteve në adresat elektronike të punonjësve të personave juridikë të cilët janë të autorizuar për të njëjtën gjë, në emër të menaxherëve të subjekteve juridike por nga adresa elektronike false dhe njëjtë si edhe tani u bëri thirrje qytetarëve që të mos hapin linqe ose bashkëngjitje nga e-mail-et e dyshimta.

Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të numrit të mashtrimeve, të cilat përfshinin edhe sulme fishing dhe raste të përfaqësimit të rremë në emër të Postës së Maqedonisë së Veriut, si dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe subjekteve juridike.