Janevska: Rriten pagat në arsim, investojmë në infrastrukturë, në programe të reja mësimore dhe tekste shkollore

Sistemi arsimor krijon llojin e kuadrit që i nevojitet ekonomisë maqedonase, industrisë,
ekonomisë, tregtisë dhe madje edhe administratës. Por problemi është i ndryshëm,
demografik. Politikat e këqija të viteve të fundit kanë ulur numrin e popullsisë. Për 7 vite,
numri i nxënësve është ulur me 17 mijë. Kemi 7 mijë studentë më pak. Nuk është e mundur
të plotësohen të gjitha pozicionet e krijuara ose të lirohen ato ekzistuese. Ne si Qeveri e re,
po përpiqemi të parandalojmë trendin e shpërnguljes dhe të stimulojmë lindjet me politika
dhe masa cilësore.
Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr.Vesna Janevska, në panelin e
diskutimit "Arsimi i së Ardhmes: ndërtimi i liderëve, mendimtarëve dhe inovatorëve" në
kuadër të Samitit të 14-të të Maqedonisë 2025, duke iu përgjigjur pyetjes nëse sistemi
arsimor prodhon kuadër me aftësi të nevojshme dhe nëse komuniteti i biznesit është
mjaftueshëm i përfshirë në arsimimin e të rinjve.
„Veçanërisht më gëzon fakti që përgjegjësia sociale e kompanive po rritet dhe ato e kuptojnë
se janë hallkë e rëndësishme në sistemin arsimor dhe pa to, pa pjesëmarrjen e tyre në
edukimin e të rinjve, vendi nuk do të ishte në gjendje të krijonte fuqinë punëtore që ata
presin. Shembull i suksesshëm i bashkëpunimit është arsimi dual. Mbi 550 kompani pranojnë
fëmijë për trajnim praktik dhe ofrojnë mundësinë për punësimin e tyre pas marrjes së
diplomës, kuptohet nëse nxënësi nuk shpreh dëshirë për avancim të mëtejshëm akademik”,
theksoi Janevska, duke potencuar se bashkëpunimi midis institucioneve arsimore dhe
kompanive është më pak i theksuar në arsimin e lartë dhe ka potencial për krijimin e
marrëdhënieve të reja.
Duke folur për prioritetet e Qeverisë kur bëhet fjalë për arsimin, Janevska theksoi se tre
shtylla kryesore përcaktojnë cilësinë e mësimdhënies: programet mësimore dhe tekstet
shkollore, kuadri mësimdhënës i motivuar dhe infrastruktura.
„ Përpiqemi t’i forcojmë vazhdimisht të treja shtyllat. Së bashku me Byronë е Zhvillimit të
Arsimit po përgatisim programe mësimore të reja, me përmbajtje të avancuara të cilët i kanë
integruar trendet globale arsimore, arritjet e reja, faktet etj. Në bazë të këtyre programeve
mësimore, po përgatiten tekste të reja shkollore, pa gabime dhe paqartësi që ekzistonin në të
kaluarën. Por disa lëndë nuk kishin fare tekste shkollore dhe fëmijët nuk kishin nga çfarë të
mësonin. Për shembull, pas gjashtë vitesh, duke filluar nga shtatori, do të kemi tekste
shkollore të gjuhëve të huaja”, tha Janevska.
Ministrja rikujtoi se pagat e kuadrit mësimdhënës janë rritur dy herë brenda 10 muajve
gjithsej mbi 12%, ndërsa sipas marrëveshjes me SASHK-un, ato do të rriten deri në 60%
gjatë mandatit të qeverisë, varësisht nga niveli i inflacionit. Po prezantohen mundësitë për
zhvillim në karrierë dhe avancim në tituj, si dhe për zhvillim profesional përmes trajnimeve
të shumta me tema të ndryshme. Pagat në arsimin e lartë janë rritur me 14% për profesorët
dhe 8% për kuadrin administrativ që nga janari i vitit 2025.
„Shtylla e tretë është infrastruktura. Do të ndaj me Ju se aktualisht kemi rreth 30 investime
aktive me një vlerë totale prej 32 milionë euro. Ndërtojmë 7 objekte të reja shkollore,
rikonstruojmë 20 të tjera, gjithashtu ndërtojmë 4 salla të sportit dhe rikonstruojmë dy
konvikte të studentëve.
"Po i pajisim shkollat me banka dhe karrige të reja, teknologji të re IT dhe internet aty ku për
fat të keq ka munguar deri më tani", shtoi ministrja.
Qeveria po përpiqet të ndjekë trendet globale arsimore, t'i orientojë të rinjtë më shumë drejt
zbatimit etik të inteligjencës artificiale, zhvillimit të aftësive digjitale, shkrim-leximit
mediatik, zgjedhjes së fushave STEM dhe të ngjashme.
Duke folur për cilësinë e arsimit të lartë dhe shkencës, potencoi se nëpërmjet kontrolleve të
Ministrisë dhe Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, u konstatuan situata tronditëse, për shkak të
të cilave u mbyllën 13 institute shkencore private, sepse në pjesën më të madhe nuk
funksiononin sipas ligjit. Gjithashtu theksoi se ka universitete private që ekzistojnë si
ndërmarrje tregtare, kanë lëshuar diploma për vite me radhë dhe Qeveria i ka kundërshtuar
ato. Por gjithashtu theksoi se ka universitete private që punojnë shumë mirë.
"Nuk jam kundër hapjes së shkollave private, universiteteve etj., por të gjithë duhet ta
respektojnë ligjin ndërsa më e rëndësishmja, ato nuk duhet të hapen ekskluzivisht për qëllime
biznesi, por mision për të ndihmuar vërtet në përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend dhe
për të ndërtuar breza të rinj të përgatitur mirë. Patjetër duhet që në vend të sasisë, të
orientohemi drejt cilësisë", përfundoi Janevska.