Një studim i ri ka treguar se qëndrimi ulur për periudha të gjata, veçanërisht tek të moshuarit, lidhet me përkeqësimin e shëndetit mendor dhe me tkurrjen e zonave të trurit që preken nga sëmundja e Alzheimerit.

Hulumtimi është kryer nga Qendra Mjekësore e Universitetit Vanderbilt dhe Universiteti i Pitsburgut, dhe është botuar në revistën shkencore ‘Alzheimer’s & Dementia’.
Studiuesit analizuan të dhënat e 404 personave mbi moshën 50 vjeç.

Ata mbanin një orë dore që matte aktivitetin e tyre për një javë të tërë. Më pas, studiuesit krahasuan kohën që pjesëmarrësit kalonin ulur me skanimet e trurit dhe testet e kujtesës, të kryera gjatë shtatë viteve.

Rezultatet treguan se ata që rrinin më shumë ulur kishin më shumë mundësi të përjetonin rënie të aftësive mendore dhe ndryshime në tru që lidhen me sëmundjen e Alzheimerit, edhe nëse ata bënin aktivitet fizik gjatë ditës.

Efektet negative ishin edhe më të theksuara te pjesëmarrësit që mbanin gjenin APOE-e4, i cili rrit rrezikun për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit. Kjo sugjeron se reduktimi i kohës ulur është veçanërisht i rëndësishëm për ata që kanë predispozitë gjenetike për këtë sëmundje.

“Ulja e rrezikut për sëmundjen e Alzheimerit nuk varet vetëm nga një orë ushtrime në ditë,” tha Marisa Gonia, profesoreshë asistente në Universitetin e Pitsburgut dhe udhëheqëse e studimit. “Është po aq e rëndësishme të kufizojmë kohën që kalojmë ulur gjatë gjithë ditës.”
Për të ndihmuar në mbrojtjen e trurit, ekspertët këshillojnë:
1.Ngrihuni dhe lëvizni çdo 30-60 minuta nëse qëndroni ulur për shumë kohë.
2.Bëni shëtitje të shkurtra gjatë ditës.
3.Shmangni qëndrimin ulur për orë të tëra, edhe nëse ushtroni rregullisht.
Kujdesi për trupin dhe trurin duhet të jetë pjesë e përditshmërisë, sidomos me kalimin e moshës. Ky studim e thekson edhe më shumë rëndësinë e një jetese aktive, jo vetëm për muskujt, por edhe për kujtesën dhe shëndetin e trurit. Syri.net-iefimerida