Pas katër ndeshjeve pa praninë e publikut, Shkëndija rikthehet para tifozëve për të marrë trofeun e kampionit ndaj Sileksit, ndërsa java e fundit përcakton vetëm ekipin që do të luajë balotazhin për mbetje në elitë, njofton Telegrafi

Java e fundit e sezonit 2024/25 në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet këtë të shtunë, më 17 maj, me të gjitha ndeshjet që luhen në orën 17:00. Edhe pse shumica e dilemave tashmë janë zgjidhur, vëmendja do të përqendrohen në dy fronte: festa e titullit në Tetovë dhe lufta për mbijetesë mes Besës dhe AP Brerës.

Në Tetovë, Shkëndija do të presë Sileksin në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku pas përfundimit të takimit, do të dorëzohet zyrtarisht trofeu i kampionit për edicionin aktual. Tetovarët siguruan titullin dy xhiro para fundit dhe rikthyen dominimin në futbollin vendor, ndërsa përballë do të kenë Sileksin – skuadrën që për pjesën më të madhe të sezonit ishte ndjekësja e vetme dhe rivali më i afërt në garën për kreun.

Kjo përballje do të ketë një rëndësi të veçantë për tifozët kuqezi “Ballistët” në veçanti, pasi pas katër ndeshjeve të zhvilluara pa praninë e publikut për shkak të një dënimi nga FFM, Federata ka vendosur t’ia heqë masën Shkëndijës për këtë javë të fundit. Kësisoj, stadiumi i qytetit në Tetovë pritet të jetë i mbushur përplot, duke krijuar atmosferën ideale për një festë të madhe kampionësh.

Në anën tjetër të tabelës, Besa e Dobërdollit dhe AP Brera do të zhvillojnë betejën vendimtare për mbijetesë. Njëra do të sigurojë qëndrimin në elitë, ndërsa tjetra do të detyrohet të luajë në balotazh për të mbetur në Ligën e Parë. Besa luan në Manastir ndaj Pelisterit, ndërsa AP Brera ësht# nikoqire e Pelisterit.

Sa u përket dueleve tjera, ato nuk do të kenë ndikim në renditje. Sileksi dhe Rabotniçki tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, ndërsa ekipet e Gostivarit dhe Voska Sport janë përjashtuar nga kampionati për shkak të dënimeve të dhëna nga FFM.