Veprimi i Arben Taravarit nuk po gjykohet e dënohet vetëm nga subjekti VLEN, si ish partner koalicioni me të, por edhe nga njerëzit e tij më të afërt. Çdo ditë e më shumë po shtohet numri i të dëshpëruarve për vendimin skandaloz të Taravarit që të shkojë në prehrin e Ahmetit. Dorëheqja e deputetit Salim Sulejmani është dëshmia më e mirë se shqiptarët nuk blihen e as nuk shiten për pozita. Ky është akti më i lartë moral që meriton çdo respekt.

Sikurse deputeti Sulejmani janë të mendimit pjesa dërrmuese e strukturës së Aleancës për Shqiptarët dhe dorëheqjet kanë filluar të shfaqen në mënyrë masive, kjo sepse votuesi i ASH-së nuk e gëlltit vajtjen në prehrin e Ali Ahmetit vetëm për shkak të pazareve të Taravarit.

Ish partneri ynë i koalicionit e vulosi edhe njëherë se nuk e ka idenë e udhëheqjes ose menaxhimit të partisë. Ai për më pak se dy vite e dëmtoi aq shumë këtë subjekt, sa nuk ka dëmtuar asnjë parti oponente. Tani, kur dorëheqjet janë të njëpasnjëshme, duket qartë që Taravari do të përfundojë i vetëm në prehrin e Ali Ahmetit.

Ne si VLEN, që nga fillimi kemi qenë të mendimit se në ASH ka njerëz të ndershëm e me përgjegjësi morale para elektoratit dhe këto pohime tona i vulosi sot deputeti Sulejmani, si edhe një varg funksionarësh të tjerë, aktivistë e votues, të cilët assesi nuk rreshtohen me të keqen.

Qytetari shqiptar, qoftë funksionar, aktivist ose votues, nuk është mjet në duart e Taravarit që të shfrytëzohen për pazare të ulëta.

Ditë të mira po vijnë për shqiptarët. Tërmeti politik do të ndodhë, madje do të jetë aq i fortë, saqë do të dridhen edhe Ahmeti e Taravari.

VLEN i uron Arben Taravarit dhe Ali Ahmetit koalicionim të suksesshëm, ndërsa populli tashmë është rreshtuar në anën e duhur, në anën tonë, sepse ne jemi këtu për t’i shërbyer popullit. Liderët tenderistë do të përfundojnë në histori!

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume