Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të shqyrtojë seriozisht idenë e një
protektorati funksional në fushën e drejtësisë – jo si akt ndërhyrjeje, por si masë
mbrojtëse për vetë investimin që është bërë ndër vite. Një sistem i qartë dhe i
detyrueshëm llogaridhënieje për fondet, programet dhe mbështetjen e dhënë do
të ishte në përputhje me vlerat evropiane të transparencës dhe drejtësisë.
Prof.dr. Skender ASANI
Në shikim të parë, duket se Maqedonia e Veriut po përjeton një fazë të konsolidimit të
institucioneve demokratike dhe të harmonizimit të brendshëm politik. Megjithatë, pas
kësaj fasade optimiste, vazhdon të shfaqet një realitet më kompleks, i cili kërkon një
vëmendje të kujdesshme dhe një lexim të nuancuar të zhvillimeve të fundit. Kjo është
një periudhë ku maturia politike dhe pjekuria diplomatike janë më të nevojshme se
kurrë, për të mbajtur balancën e brishtë mes shumicës dhe bashkësive të tjera
përbërëse të shtetit.
Gjatë viteve të fundit, Maqedonia e Veriut ka treguar përpjekje për të ruajtur stabilitetin
ndëretnik, por këto përpjekje nuk janë përkthyer gjithnjë në barazi reale në terren.
Retorika e bashkëjetesës dhe e integrimit është e pranishme në diskursin politik, por
shpesh mbetet e kufizuar në deklarata, ndërsa në praktikë, strukturat vendimmarrëse
dhe përfaqësimi institucional vazhdojnë të reflektojnë një disproporcion që nuk
përputhet me realitetin demografik dhe kontributin historik të të gjitha komuniteteve.
Përveç pengesave politike të dukshme, ekzistojnë struktura të thella që minojnë çdo
përpjekje për një rend të ri demokratik. Një ndër to është sistemi gjyqësor, i cili për
dekada me radhë ka qenë në fokus të reformave të sponzorizuara nga partnerët
ndërkombëtarë – përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Megjithëse
janë investuar fonde të konsiderueshme për ta bërë drejtësinë vendore kompatibile me
standardet perëndimore, në realitet, shumë nga këto përpjekje janë devijuar nga elitat
politike vendore që kanë synuar ta mbajnë sistemin gjyqësor nën kontroll.
Në mënyrë të veçantë, vlen të theksohet praktika e rotacionit politik që, në vend se të
garantojë pluralizëm institucional, është shndërruar në një instrument për ta riinstaluar
ndikimin mbi drejtësinë. Çdo qeveri e re nuk kufizohet vetëm në riformësime formale,
por shkon përtej, duke dirigjuar thellësisht sistemin gjyqësor nëpërmjet mekanizmave të
fshehtë të ndikimit dhe ndërhyrjeve selektive. Shembulli më ilustrues është rasti i
Prokurorisë Speciale, e cila nisi me ambicie për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë,
por përfundoi duke u shkatërruar nga brenda, përmes aferave të fabrikuara dhe
korruptimit sistematik të figurave kyçe. Në prapaskenë të këtij dështimi qëndroi një
strukturë e përhershme oligarkike, e kamufluar mjeshtërisht me petkun e partive politike
dhe retorikën e reformave.
Nuk mund të anashkalohet as roli gjithnjë e më problematik i Gjykatës Kushtetuese, e
cila në raste të përsëritura është instrumentalizuar politikisht për të legjitimuar vendime
që prishin balancat e brendshme etnike, fetare dhe ndërshtetërore. Në vend që të
shërbejë si gardiane e kushtetutshmërisë dhe si garantuese e barazisë mes qytetarëve,
kjo gjykatë ka vepruar shpesh si katalizator për tensione të reja, duke interpretuar ligjin
sipas vullnetit të mazhorancës dhe jo në funksion të bashkëjetesës së ndjeshme që
kërkon vendi. Kjo qasje ka nxitur dyshime të thella në opinionin publik dhe ka minuar
besimin në drejtësi si një hallkë e pavarur e shtetit.
Në këtë kontekst, ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të shqyrtojë seriozisht
idenë e një protektorati funksional në fushën e drejtësisë – jo si akt ndërhyrjeje, por si
masë mbrojtëse për vetë investimin që është bërë ndër vite. Një sistem i qartë dhe i
detyrueshëm llogaridhënieje për fondet, programet dhe mbështetjen e dhënë do të ishte
në përputhje me vlerat evropiane të transparencës dhe drejtësisë.
Një tjetër pengesë madhore për një qasje të re në bashkëjetesë dhe për një integrim të
sinqertë në strukturat euroatlantike është oligarkia e formuar gjatë katër dekadave të
fundit. Kjo klasë e konsoliduar politike dhe ekonomike ka ndërtuar një sistem të mbyllur,
që pengon çdo tentativë për reforma të mirëfillta shtetërore. Në vend të transformimit,
kemi pasur vetëm adaptim sipërfaqësor, ku interesat private fshihen pas retorikës
publike. Kjo oligarki, përmes ndikimit në ekonomi, media, religjion dhe siguri, e ruan me
fanatizëm strukturën unitariste të shtetit, duke e përjetuar çdo hap drejt barazisë reale si
kërcënim për privilegjet e saj.
Në mënyrë subtile, por të qëllimshme, kjo strukturë saboton balancat etnike, fetare dhe
socio-ekonomike, duke e paraqitur çdo kërkesë për më shumë përfshirje si tendencë
për destabilizim. Kështu, pengesat për integrimin evropian nuk burojnë vetëm nga
jashtë, por janë të brendshme, sistematike dhe të mirëorganizuara.
Është e rëndësishme që në këtë fazë të vendit, të gjitha palët politike të angazhohen në
një reflektim të thellë rreth modelit të bashkëqeverisjes që ka funksionuar deri më tani.
A ka ardhur koha që ky model të evoluojë nga një bashkëjetesë e toleruar drejt një
partneriteti të sinqertë dhe funksional? A është momenti që vetë struktura e shtetit të
rikonceptohet mbi bazën e besimit të ndërsjellë dhe jo mbi ruajtjen me çdo kusht të një
status quo-je të padrejtë?
Sepse historia nuk fal stagnimin, dhe brezat që vijnë do të gjykojnë mbi bazën e asaj
çfarë u trashëguam e çfarë guxuam të ndryshojmë. Koha e llogaridhënies ka trokitur.
Është momenti për të ndërtuar një rend të ri politik – jo mbi themelet e frikës dhe
kontrollit, por mbi besimin, drejtësinë dhe barazinë. Në këtë rrugëtim, heshtja nuk është
më neutralitet: është bashkëpjesëmarrje në dështim. Dhe kush hesht sot, s’mund të
thotë nesër se s’dinte.