Mirlind Daku është kthyer të shënojë rregullisht dhe ka tundur rrjetën për ndeshjen e dytë radhazi me fanellën e Rubin Kazan. Forma që sulmuesi po kalon, do të sjellë një rritje konkurrence këtë herë në Kombëtare, ku në listën e Silvinjos për dy ndeshjet e radhës, një mes tij dhe Uzunit, mund të jetë i tepërt.
SFIDË UZUNIT- Me shumë mundësi, në fundin e kësaj jave do të shpallet edhe lista e lojtarëve që do të grumbullohen për dy ndeshjet e Kombëtares në muajin qershor, Serbinë dhe Letoninë. Një prej dilemave të Silvinjos janë edhe emrat e sulmuesve që do t’iu besohet një ftesë këtë radhë.
Nëse Manaj dhe Broja kanë një probabilitet të lartë për të qenë në listë, atëherë mund të kemi një dualitet mes Uzunit dhe Dakut. Nëse Silvinjo do të shohë të arsyeshme që të thërrasë katër sulmues, pa përfshirë ata të krahut, diçka që duket shumë e vështirë, atëherë mund t’i shohim të dy, edhe Dakun me Uzunin.
Por, nëse numri do të ulet, do të kemi një rivalitet mes tyre. Dakut që po shënon dhe po shfaqet në formë gjatë ndeshjeve të fundit me klubin e tij në Rusi dhe Uzunit, i cili luajti në të dyja sfidat e Kombëtares në muajin mars, ku madje shënoi edhe një gol.