Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me Didie Shaso, ambasador dhe ndihmësdrejtor i përgjithshëm, udhëheqës i Departamentit për Evropën dhe Lindjen e Afërt në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Në atmosferë miqësore dhe konstruktive, Kryetari Gashi shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme nga Zvicra dhe SDC-ja për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Theksoi se kjo mbështetje, përveç aspektit financiar, paraqet kontribut të rëndësishëm në avancimin e proceseve demokratike, parlamentarizmit dhe zhvillimit institucional.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë dhe rezultateve të deritanishme të Programit të Mbështetjes Parlamentare, i cili tashmë ka sjellë përfitime konkrete dhe të dukshme – siç janë hartimi i Planit Strategjik të Kuvendit, digjitalizimi i Kuvendit, themelimi dhe zhvillimi i Institutit Parlamentar, Zyra Buxhetore e Kuvendit, roli mbikëqyrës i Kuvendit, si dhe avancimi i platformave që mundësojnë transparencë dhe qasje më të madhe të institucionit për qytetarët.
Shaso shprehu kënaqësinë e tij për suksesin e proceseve dhe operacionalizimin e instituteve që janë vendosur nëpërmjet bashkëpunimit në kuadër të Programit të Mbështetjes së Kuvendit.
Bashkëbiseduesit ranë dakord që ky bashkëpunim i rëndësishëm duhet të vazhdojë përmes bashkëpunimit të ngushtë me Ambasadën Zvicerane dhe partnerët, të tillë si NDI-ja, pasi Kuvendi mbetet i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me partnerët ndërkombëtarë në drejtim të forcimit të kapaciteteve parlamentare dhe perspektivës evropiane të vendit.