Shefi i ndihmës humanitare të Kombeve të Bashkuara, Tom Fletcher, ka shprehur frikën se 14,000 foshnje mund të vdesin në Rripin e Gazës gjatë 48 orëve të ardhshme nëse furnizimet nuk arrijnë në kohën e duhur.

“Dua të shpëtojmë sa më shumë që mundemi nga këto 14,000 foshnje në 48 orët e ardhshme”, ka thënë ai për BBC-në.

Fletcher ka thënë se pesë kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza të hënën, porse ka përsëritur se kjo është vetëm një “pikë në oqean”.

Ai është shprehur optimist se 100 kamionë do të kalojnë kufirin gjatë ditës së sotme, ndonëse ka theksuar se kjo do të jetë e vështirë.

“Do të jetë e vështirë. Por ne do t’i ngarkojmë me ushqim për foshnje dhe njerëzit tanë do të marrin përsipër ato rreziqe”, ka thënë Fletcher.