Kuvendi i Junikut mbetet jo vetëm një pikë referimi historike, por një model për
bashkimin e vizioneve në funksion të një projekti të madh kombëtar. Shekulli XXI
kërkon një rilindje të re të mendimit dhe veprimit strategjik shqiptar. Është koha
për të ndërtuar një epokë të re të bashkimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare –
në frymën e Junikut, por me mjetet dhe sfidat e së sotmes.
Nga Prof.dr Skender Asani
Në historinë e kombeve, momentet kur ndërgjegjja kolektive ngrihet mbi ndasitë e
përditshme dhe projekton një të ardhme të përbashkët, mbeten gurë kilometrikë të
rrugëtimit kombëtar. Një nga këto momente për shqiptarët ishte padyshim Kuvendi i
Junikut, i mbajtur më 21–25 maj 1912, që përfaqësonte një akt të thellë vetëdijeje
politike dhe kombëtare në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane.
Në atë moment kritik të historisë, kur harta e rajonit po ridizajnohej dhe popujt përreth
artikulonin projektet e tyre shtetformuese, shqiptarët përmes Kuvendit të Junikut
shfaqën me qartësi synimet e tyre politike: mëvetësinë, vetëvendosjen dhe ruajtjen e
integritetit të hapësirës shqiptare. Të udhëhequr nga figura si Hasan Prishtina, delegatët
e atij kuvendi ndërtuan një arkitekturë politike me vizion afatgjatë, për të shmangur
fragmentimin dhe për të garantuar përfshirjen e të gjitha trojeve shqiptare në projektin e
përbashkët kombëtar.
Sot, pas më shumë se një shekulli, ndodhemi para një faze tjetër të rëndësishme
historike: përmbylljes së disa proceseve të mëdha politike dhe përcaktimit euroatlantik
të hapësirës shqiptare. Në një botë ku konstelacionet gjeopolitike po ndryshojnë me
shpejtësi, shqiptarët, për t’u përballur me sfidat e reja, kanë nevojë për të njëjtin
mobilizim që karakterizoi Junikun e vitit 1912.
Zgjidhja përfundimtare për çështjen e Kosovës kërkon një qasje të mençur dhe
gjithëpërfshirëse. Kjo nënkupton ndërtimin e një lidhjeje institucionale të fuqishme me
Shqipërinë, si një formë funksionale e afrimit të mëtejshëm kombëtar, por edhe
pranimin e kërkesave të miqve perëndimorë për të përmbyllur njohjen e plotë të
shtetësisë së saj. Këto janë hapa strategjikë në drejtim të konsolidimit të pozitës së
Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe të rumbullakimit të pavarësisë së saj.
Njëkohësisht, është e domosdoshme që me urtësi politike të rumbullaksohet edhe
procesi i shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet rritjes së
barazisë institucionale, afirmimit të përfaqësimit të drejtë dhe ndërtimit të partneritetit
real me faktorin shtetëror. Ky proces duhet të udhëhiqet nga një mendësi moderne
politike dhe nga një narrativ i ri që tejkalon provincializmat dhe ndarjet artificiale.
Në këtë kuadër, nuk mund të lihet pa u theksuar pozita strategjike që ka Shqipëria në
rajon. Duke ecur me hapa të fuqishëm drejt integrimit evropian, ajo po shndërrohet në
një faktor politik dhe ekonomik të rëndësishëm, si dhe në një shtyllë kyçe të stabilitetit
në Ballkanin Perëndimor. Ky zhvillim e rrit rolin e Shqipërisë si urë lidhëse dhe si
mbështetje e fuqishme për çështjet shqiptare në të gjitha hapësirat.
Një dimension i rëndësishëm i këtij mobilizimi është edhe mërgata shqiptare në botë.
Kontributi i saj ndër shekuj ka qenë thelbësor për mbijetesën dhe afirmimin e
shqiptarëve në Ballkan. Sot, në rrethana të reja, ajo duhet të jetë më e organizuar dhe
më e angazhuar për vendlindjen – përmes investimeve ekonomike, mbështetjes së
zhvillimit institucional dhe lobimit aktiv në mbrojtje të interesave kombëtare në qendrat
ndërkombëtare të vendimmarrjes. Mërgata mund të shërbejë si një urë e fuqishme mes
atdheut dhe botës perëndimore, duke ndihmuar në avancimin e qëllimeve të
përbashkëta.
Kuvendi i Junikut nuk ishte një akt i izoluar. Ai ishte produkt i ndërgjegjësimit kombëtar
dhe i ndjeshmërisë historike që kuptoi nevojën për unitet. Edhe sot, përballë sfidave të
globalizimit, të fragmentimit të brendshëm politik dhe të përplasjes së interesave
gjeopolitike, modeli i Junikut mbetet një udhërrëfyes për bashkërendimin e vizioneve
dhe për ndërtimin e një platforme të përbashkët kombëtare.
Kuvendi i Junikut mbetet jo vetëm një pikë referimi historike, por një model për
bashkimin e vizioneve në funksion të një projekti të madh kombëtar. Shekulli XXI kërkon
një rilindje të re të mendimit dhe veprimit strategjik shqiptar, ku bashkëpunimi
institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, afirmimi i barazisë në Maqedoninë e
Veriut, integrimi i përshpejtuar i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe roli i fuqizuar i
mërgatës shqiptare përbëjnë shtyllat e qëndrueshme të së ardhmes sonë. Vetëm
përmes një mobilizimi të tillë gjithëkombëtar, me një mendësi të qartë euroatlantike dhe
me një diplomaci të mençur, shqiptarët mund të sigurojnë vendin që u takon në hartën e
re të rendit botëror dhe të kontribuojnë në paqen dhe zhvillimin afatgjatë të rajonit. Kjo
është koha për të ndërtuar një epokë të re të bashkimit, përparimit dhe vetëdijes
kombëtare – në frymën e Junikut, por me mjetet dhe sfidat e së sotmes.