Një tërmet me magnitudë prej 6.1 shkallë e goditi mëngjesin e sotëm ishullin grek Kretë, njoftoi Instituti Gjeologjik Amerikan (USGS).

Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 68.9 kilometrash, me epiqendër të vendosur rreth 58 kilometra në verilindje të qytetit të vogël Elunda.

Banorët lokalë për mediat greke deklaruan se tërmeti zgjati jashtëzakonisht shumë. Megjithatë, kohëzgjatja e perceptuar e tërmeteve nuk regjistrohet zyrtarisht nga agjencitë e monitorimit, raportoi DPA.

Sipas gazetës greke “Proto Thema”, tërmeti u ndie fuqishëm edhe në Peloponez, Cikladet dhe deri në Qipro.

Thanasis Ganas, shefi i departamentit të kërkimeve në Institutin Gjeodinamik të Athinës, tha se nuk priten pothuajse fare pasgoditje.

Si masë paraprake, autoriteti grek për menaxhimin e fatkeqësive natyrore lëshoi një paralajmërim për cunami, duke dërguar mesazhe SMS te njerëzit në rajonin e prekur. Megjithatë, cunami nuk është regjistruar.

Tërmeti vjen vetëm disa ditë pas një serie tërmetesh më të vegjël që tronditën pjesën veriore të Evias, ishulli i dytë më i madh i Greqisë.