Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka shpalosur konceptin për programin e ardhshëm të mbrojtjes ajrore: Kupola e Artë.
Ky kundërajror shumështresor, në vlerë 175 miliardë dollarë, nënkupton se SHBA-ja do të vendosë armë në hapësirë për herë të parë.
Duke folur të martën nga Zyra Ovale, Trumpi tha se pret që sistemi “ta nisë punën plotësisht para përfundimit të mandatit tim”, i cili mbaron në vitin 2029, dhe të ketë aftësinë për t’i ndalur raketat “madje edhe nëse ato lëshohen nga hapësira”.
Një zyrtar amerikan tha se ka më shumë gjasa që ky sistem kompleks të ketë kapacitet fillestar deri atëherë.
Trumpi gjithashtu njoftoi se gjenerali Michael Guetlein, i cili aktualisht shërben si zëvendësshef i operacioneve hapësinore, do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e përparimit të Kupolës së Artë.
Kupola e Artë parashikohet të përfshijë kapacitete, nga toka dhe nga hapësira, të cilat janë në gjendje të zbulojnë dhe ndalojnë raketat në katër fazat kryesore të një sulmi të mundshëm: zbulimi dhe shkatërrimi para lëshimit, ndalimi në fazën më të hershme të fluturimit, ndalimi gjatë rrugëtimit të tyre ajër, ose ndalimi në minutat e fundit gjatë rënies së tyre mbi cak.