Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney tha se ishte “e papranueshme” që ushtria izraelite hapi zjarr ndaj një delegacioni diplomatësh pranë kampit të refugjatëve në Jenin, transmeton Anadolu.

Sipas Korporatës Kanadeze të Transmetimeve (CBC), Zyra e ministres së Jashtme, Anita Anand njoftoi se delegacioni që u qëllua nga ushtria izraelite përfshinte dy diplomatë kanadezë dhe dy personel vendas.

Duke folur me gazetarët në kryeqytetin Ottawa, Carney tha se ata prisnin një “hetim të plotë” dhe “deklaratë të menjëhershme” në lidhje me hapjen e zjarrit nga ushtria izraelite ndaj një delegacioni diplomatësh pranë kampit të refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Kjo është krejtësisht e papranueshme, vetëm një nga shumë gjërat që po ndodhin në rajon e që janë krejtësisht të papranueshme”, tha Carney.

Ministrja e jashtme kanadeze, Anita Anand, në deklaratën e saj në X tha se gjendja shëndetësore e personelit kanadez është e mirë. Ajo theksoi se ka udhëzuar stafin e saj të thërriste ambasadorin izraelit në Ottawa dhe t’i përcillte se janë “thellësisht të shqetësuar” për incidentin.

– Sulmi i Izraelit ndaj 35 diplomatëve që vizitonin Jeninin

Zëvendësministri i Jashtëm palestinez, Ahmed al-Dik tha se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një delegacioni të huaj diplomatik që kishte arritur në kampin e refugjatëve në Jenin, në Bregun Perëndimor të pushtuar, me qëllim që t’i “frikësonin” dhe t’i “trembnin” ata.

“Forcat pushtuese izraelite shkelën rregullat dhe hapën zjarr me municion të vërtetë pas mbërritjes së delegacionit diplomatik të përbërë nga 35 ambasadorë, konsuj dhe diplomatë në hyrje të kampit”, tha Al-Dik.

Raportohet se delegacioni ndaj të cilit ushtria izraelite hapi zjarr përfshinte diplomatë nga Konsullata e Përgjithshme Turke në Kuds.