Një ditë para vizitës së Kallas në Shkup, ambasadori i BE-së në Shkup, Mikalis Rokas, ka zhvilluar një takim-mëngjesi me kryetarin e Komisionit parlamentar për Punë dhe Politikë të Jashtme, Musa Xhaferi, ndërsa është biseduar për vizitën e Kallas në Maqedoni dhe për reformat dhe detyrat që Shkupi zyrtar duhet t’i kryejë për t’u integruar në Bashkimin Evropian

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri për të dyja vendet, për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kallas e cila sot ka nisur vizitën në Serbi, do të jetë në Kosovë e më pas – nesër do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se tani është koha për t’u riangazhuar në procesin e dialogut.

“Do të vizitoj Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dy ditët e ardhshme dhe do të angazhohem me qeveritë dhe shoqërinë civile në rrugën e tyre drejt BE-së. Dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri për të ecur përpara. Tani është koha për t’u riangazhuar”, ka shkruar Kallas në rrjetin social X.

Ndryshe, shërbimi Evropian i veprimit të jashtëm (EEAS) ka lëshuar një komunikatë lidhur me vizitën që Kallas do t’i bëjë Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është kjo vizita e saj e parë në këto vende, prej kur para gjysmë viti kishte marrë përsipër postin e shefes së diplomacisë së BE-së. Por, për vizitën në Kosovë nuk saktësohet në këtë komunikatë se me kë do të takohet, që dallon shumë nga njoftimet precize që jepen për vizitat në Beograd dhe në Shkup.

Në ndërkohë, një ditë para vizitës së Kallas në Shkup, ambasadori i BE-së në Shkup, Mikalis Rokas, ka zhvilluar një takim-mëngjesi me kryetarin e Komisionit parlamentar për Punë dhe Politikë të Jashtme, Musa Xhaferi, ndërsa është biseduar për vizitën e Kallas në Maqedoni dhe për reformat dhe detyrat që Shkupi zyrtar duhet t’i kryejë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Kallas, siç bëhet e ditur zyrtarisht, nesër në Shkup, do të takohet me kryeministrin Hristian Mickoski dhe së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski do ta hapin Dialogun e parë për siguri dhe mbrojtje mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa në shoqëri të ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski do ta vizitojë Grupin e përhershëm të punës mjekësore ballkanike. Ajo do të takohet edhe me përfaqësues të organizatave rinore dhe studentore nga vendi. (koha)