Në kuadër të Javës së Kuzhinës Turke, me organizimin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, u mbajt një ngjarje e posaçme ku u prezantuan bukuritë dhe karakteristikat e kuzhinës tradicionale turke.

Sarma, mish viçi me perime, sallata me perime, ullinj, vaj ulliri dhe delikatesa të ndryshme, pite, fasule, oriz, si dhe ëmbëlsira të ndryshme, ishin pjesë e kuzhinës tradicionale turke të shërbyera për përfaqësuesit e mediave.

Ngjarja u zhvillua në rezidencën e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shkup, ku përfaqësuesit e mediave të vendit u shërbyen me ushqime nga kuzhina tradicionale turke.

Ambasadori Ulusoy: Kuzhina turke përmban gjurmë të ndërveprimit shekullor ndërkulturor

Të pranishmit i përshëndeti ambasadori turk Fatih Ulusoy, i cili shprehu kënaqësinë që pati mundësinë të mikpriste përfaqësues të mediave me ushqime tradicionale turke, duke shtuar se kjo ngjarje po mbahet për të katërtin vit me radhë.

“Kuzhina turke, si një pasuri e çmuar e kulturës së lashtë turke, na ka mbledhur sot me këtë rast në zemër të Ballkanit, një rajon që përgjatë gjithë historisë ka qenë mikpritës i pasurive unike kulturore“, tha ambasadori Ulusoy, i cili më pas përmblodhi shkurtimisht marrëdhëniet mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut po zhvillohen çdo ditë në të gjitha fushat dhe se të dyja vendet kanë lidhje historike dhe kulturore të thella, si dhe marrëdhënie në nivelin më të lartë.

“Në kuadër të Javës së Kuzhinës Turke, e cila festohet që nga viti 2022, këtë vit do të shijojmë shijet tradicionale të kulinarisë turke, përkatësisht recetat klasike të kuzhinës turke. Sot me kënaqësi ju prezantoj ushqime të shijshme që turqit i konsumojnë rregullisht në shtëpitë apo restorantet e tyre. Në fakt, mendoj se shumica prej jush tashmë jeni të njohur me këto shije, pasi siç dihet, kuzhina turke përmban gjurmë të ndërveprimit shekullor ndërkulturor në Anadoll dhe në rajonin e gjerë që rrethon Türkiyen. Si rezultat i bashkëjetesës shumëvjeçare, kuzhina turke dhe ajo maqedonase kanë shumë pika të përbashkëta“, u shpreh Ulusoy.

Kuzhina turke është një pasuri e çmuar që duhet trashëguar brezave të ardhshëm

Ai po ashtu sqaroi se gjatë ngjarjes të pranishmit do të kenë mundësi të shohin librin me titull “Recetat shekullore të kuzhinës turke“, një vepër e krijuar nën udhëheqjen e zonjës së parë të Türkiyes, Emine Erdoğan, në bashkëpunim me shkencëtarë dhe kuzhinierë të njohur.

Ndër të tjera, ambasadori Ulusoy theksoi se karakteristikat më të spikatura të kuzhinës tradicionale turke janë se “ajo është e shëndetshme dhe pa mbetje“, duke shtuar se “kjo pasuri e çmuar duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm“.

Ambasadori turk Ulusoy shprehu falënderime për Qendrën Kulturore Turke “Yunus Emre“ në Shkup, e cila promovon kulturën dhe gjuhën turke, si dhe për kompaninë ajrore turke “Turkish Airlines“, me mbështetjen e së cilës ambasadori Ulusoy dhuroi një biletë kthim–ardhje në linjën Shkup–Istanbul për katër përfaqësues mediash, të përzgjedhur përmes shortit.

Kuzhina tradicionale turke

Kuzhina tradicionale turke ka një rëndësi më të madhe dhe më të gjerë sesa thjesht plotësimi i nevojave ushqimore për mbijetesë. Ajo është një ndër elementët kryesorë të ndërveprimit ndërmjet individëve dhe kulturave të ndryshme. Kuzhina turke ka ndërvepruar me kuzhinat e Lindjes së Mesme, Ballkanit, Mesdheut dhe Egjeut, Kaukazit dhe Azisë Qendrore, për shkak të lidhjeve historike dhe tradicionale në këto rajone të gjera gjeografike.