Trupi i një burri është gjetur në një veturë të bllokuar në ujërat e përmbytjeve në Australinë juglindore, duke e çuar numrin e të vdekurve në katër pas tre ditësh shiu të pandërprerë që shkatërroi shtëpi.
Policia tha se burri u gjet pranë Coffs Harbour, rreth 550 kilometra në veri të Sidneit.

Ndërsa kërkimi për njeriun i cili është zhdukur që nga fillimi i përmbytjeve në fillim të kësaj jave po vazhdon.

“Ujërat e përmbytjeve përmbajnë ndotës, mund të ketë gjarpërinj… kështu që këto rreziqe duhet të vlerësohen. Energjia elektrike mund të jetë gjithashtu një rrezik”, tha zëvendëskomisioneri Shtetëror i Shërbimeve të Emergjencave Damien Johnston gjatë një konference për media.

Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë rrugë të kthyera në lumenjë.

Kryeministri Anthony Albanese tha se ai duhej të anulonte një vizitë të planifikuar në Taree, një nga qytetet më të goditura, për shkak të përmbytjeve.

“Ne u përpoqëm… por nuk ishte e mundur për shkak të rrethanave, jam i sigurt që njerëzit e kuptojnë”, tha ai.

Ndryshe, Australia ka parë ngjarje më ekstreme të motit që disa ekspertë thonë se po ndodhin për shkak të ndryshimeve klimatike.

Pas thatësirave dhe zjarreve shkatërruese në fund të dekadës së fundit, përmbytjet e shpeshta po shkaktojnë dëme nga fillimi i vitit 2021.