TË GJITHË PËR KOÇANIN – VRAPOJMË SË BASHKU: INFORMACIONE TË RËNDËSISHME PËR TRANSPORTIN, KOHËN DHE PJESËMARRJEN

Të dielën, më 25 maj, me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe rrjeti i Europe House organizojnë një garë humanitare me titullin “Të gjithë për Koçanin – Vrapojmë së bashku”. Gara do të zhvillohet në shtatë qytete të vendit: Shkup, Strumicë, Kriva Pallankë, Manastir, Veles, Strugë dhe Tetovë. Qëllimi i ngjarjes është mbledhja e fondeve për të prekurit nga tragjedia e fundit në Koçan.

Në Shkup, garat do të mbahen në pjesën e mesme të Vodnos. Gara prej 5 kilometrash fillon në orën 10:00, ndërsa gara prej 10 kilometrash do të fillojë në orën 11:00. Qasja me vetura drejt Vodnos do të jetë e rregulluar, ndërsa parkimi nuk do të jetë i disponueshëm. Për këtë qëllim, do të sigurohet transport falas me autobusë nga parkingu pranë Tregut të Luleve deri në Vodno të mesme. Transporti do të funksionojë nga ora 08:30 deri në 10:10, ndërsa kthimi do të jetë i mundur nga ora 12:00 deri në 14:15.

Qytetarët të cilët do të marrin pjesë në garë inkurajohen të shfrytëzojnë transportin e organizuar me autobusë. Disa nga autobusët janë ekologjikë dhe janë siguruar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve për mobilitet të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit. Për ata që dëshirojnë një sfidë shtesë sportive, shtegu për këmbësorë nga baza deri në Vodno të mesme mbetet i hapur.

Shpërndarja e numrave startues për pjesëmarrësit nga Shkupi do të bëhet më 23 maj (e premte) nga ora 09:00 deri në 19:00 dhe më 24 maj (e shtunë) nga ora 09:00 deri në 16:00 në hapësirat e Europe House Shkup. Gjatë tërheqjes së numrit startues, duhet të paraqitet numri i regjistrimit ose konfirmimi i marrë në email. Për aplikimet në grup, mjafton që një anëtar ta tërheqë numrat për të gjithë ekipin. Në ditën e garës (25 maj) nuk do të shpërndahen numra starti.

Në gjashtë qytetet e tjera, shpërndarja e numrave startues do të bëhet në të njëjtat data dhe orare në hapësirat e zyrave lokale të Europe House.

Gara është e dedikuar për qytetarë të të gjitha moshave, pavarësisht nga përgatitja fizike. Regjistrimi tashmë është i mbyllur, ndërsa të gjitha informacionet shtesë për lokacionet dhe oraret e garave mund të gjenden në rrjetet sociale të secilit Europe House.

Të ardhurat e mbledhura nga regjistrimi do t’i dhurohen Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të përdoren për të ndihmuar komunitetin në Koçan. Për më tepër, në ditën e garës do të vendoset edhe një kuti donacionesh nga Kryqi i Kuq, ku të pranishmit do të kenë mundësinë të dhurojnë shtesë.