Për KRRE është shtrenjtë që të lexohen orëmatësit / EVN të furnizojë orëmatës smart me lexim nga distanca

Për Komisionin Rregullator për Energjetikë, është shumë e shtrenjtë që EVN të vendosë sistem për leximin e matësve të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët çdo muaj. Kryetari i Komisionit, Marko Bislimovski, konfirmoi se vendosja e këtij modeli do të kushtonte 10 milionë euro në vit, gjë që do ta rritte ndjeshëm çmimin e rrymës për qytetarët. Rritja do të ishte rreth 5 për qind, ndaj do të shkohet me një model tjetër. Bëhet fjalë për blerjen e matësve të mençur për 10 milionë euro gjatë dy deri në tre vitet e ardhshme.
“Ne i njohim këto mjete themelore, por kthimi i kapitalit është vetëm 6,2%. Në nivel vjetor, nga këto 10 milionë euro shtesë për blerjen e pajisjeve të reja matëse, ndikimi në çmimin përfundimtar do të ishte 0,1%, pothuajse nuk do të ketë asnjëfarë ndikimi. Prandaj do ta bëjmë këtë dhe në periudhën e ardhshme do ta detyrojmë Elektroshpërndarjen të blejë edhe më shumë matës, në mënyrë që brenda dy deri në tre viteve të ardhshme, diku ndërmjet 70 dhe 80% të konsumatorëve në vend të kenë matës me lexim në distancë“, tha Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energetikë
Në faturën e ardhshme, qytetarët do të marrin njoftim për mënyrën se si vetë të lexojnë matësit e tyre të energjisë elektrike dhe, nëse ka mospërputhje me konsumin e faturuar, të raportojnë në EVN. Në të ardhmen, në faturë do të shënohet nëse llogaritja e energjisë së konsumuar është bërë mbi bazën e leximit real të matësit apo mbi një konsum mesatar të supozuar. Bislimovski nuk deshi të komentojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi disa dispozita të ligjit dhe mundësoi shkyçje më të lehtë nga ngrohja qendrore.
“Absolutisht, ne si KRrE do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por po shpjegoj se çfarë do të thotë kjo në praktikë. Mundësia për shkëputje më të lehtë do të thotë ulje e numrit të konsumatorëve të energjisë termike, që mund të çojë në rritje të çmimit të energjisë termike dhe që do të kemi dhe me shumë gjasë do të kemi amvisëri që do të ngrohen më shumë me energji elektrike. Dhe, siç thashë, në pjesët e Qytetit të Shkupit ku ka sistem të organizuar të ngrohjes qendrore, trafo stacionet dhe rrjeti në përgjithësi kanë kapacitet më të ulët, sepse nuk është pritur që atje njerëzit do të ngrohen me energji elektrike”, sqaroi Bislimovski.
Bislimovski u bëri thirrje të gjitha kompanive energjetike që, në përputhje me Ligjin e ri për energjetikë, deri më 30 qershor të dorëzojnë kërkesë në Komisionin Rregullator për vazhdimin e licencave. Nëse nuk e bëjnë këtë, nga 1 korriku nuk do të kenë të drejtë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Bëhet fjalë për 1.800 bartës të licencave nga të gjitha aktivitetet energjetike.