Sot qëndroj këtu para jush me respekt të thellë, ndjenjë përgjegjësie dhe mirënjohjeje. Mirënjohje për një komunitet që prej shekujsh është pjesë e zemrës së këtij vendi, që me këmbënguljen, punën dhe dashurinë për atdheun ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë, kulturën dhe identitetin tonë, tha kryeministri Hristijan Mickoski në ngjarjen e sotme me rastin e 23 Majit, Ditës së komunitetit vlleh.

Kryeministri Mickoski theksoi se komuniteti vlleh është pjesë e pandashme e shtetësisë maqedonase.

Sot është 23 Maji – dita kur e kremtojmë komunitetin vlleh si pjesë e pandashme e shtetësisë maqedonase. Është dita kur jo vetëm shprehim mirënjohje, por i premtojmë vetes se kurrë nuk do ta harrojmë vlerën që vllehët e kanë për këtë vend, theksoi ai dhe shtoi:

Historia e vllehëve në Maqedoni është histori dinjiteti. Është histori e njerëzve që, edhe në kohët më të vështira, nuk janë tërhequr. Histori e njerëzve që gjithmonë kanë punuar – për familjet e tyre, për komunitetin e tyre dhe për Maqedoninë. Nuk guxojmë ta harrojmë rolin e vllehëve në shpalljen e Republikës së Krushevës. Nuk guxojmë të flasim për luftën për liri pa e përmendur me nder emrin e Pitu Gulit. Nuk guxojmë ta injorojmë kontributin e jashtëzakonshëm të intelektualëve vllehë, artistëve, arsimtarëve. Ata janë të pranishëm edhe sot në shkencë, art, mjekësi, drejtësi, arsim. Ju faleminderit për gjithçka që keni dhënë për këtë vend. Ju faleminderit që, në kohë ndryshimesh, krizash dhe padrejtësish, nuk u dorëzuat. Qëndruat dhe vazhduat – me dinjitet, me durim, me dashuri.

Mickoski tha se Vllehët, me rezistencën e tyre, janë shembull se si ruhet identiteti pa e mbyllur zemrën.

Jetojmë në kohë vështirësish. Kohë kur ekonomia përballet me presione globale. Kur drejtësia sociale ende nuk arrin çdo familje. Kur të rinjtë shpesh kërkojnë shansin jashtë vendit. Kur mosbesimi, ndarjet dhe zhgënjimet e copëtojnë indin e shoqërisë sonë.

Por pikërisht në këto kohë të vështira dëshmohet forca e një populli. Tregohet kush jemi – jo me emra, por me karakter. Jo me deklarata, por me vepra.

Vllehët, me rezistencën e tyre, janë shembull se si ruhet identiteti pa e mbyllur zemrën. Shembull se si duhet Maqedonia pa e harruar veçantinë e vet. Shembull se si jetohet në bashkëjetesë dhe jo në ndarje.

Ka ardhur koha që të gjithë së bashku – maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë, vllehë dhe boshnjakë – ta hedhim hapin e radhës. Të krijojmë një shoqëri që jo vetëm që flet për barazi, por që e jeton atë. Të ndërtojmë një shtet në të cilin çdo qytetar – pa dallim gjuhe, feje apo përkatësie etnike – do të ndihet në vendin e vet, theksoi Mickoski.

Mickoski porositi se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë gjuhën vllehe, manifestimet kulturore dhe letërsinë.

Vllehët prej shekujsh jetojnë me të tjerët – jo pranë tyre, por bashkë me ta. Kjo është një shkollë bashkëjetese. Është një model që sot na nevojitet të gjithëve.

Dhe prandaj, si Qeveri, themi qartë:
– Do të vazhdojmë ta mbështesim mësimin në gjuhën vllehe.
– Do të ndihmojmë manifestimet kulturore dhe letërsinë.
– Do të investojmë tek të rinjtë vllehë – në arsimin e tyre, në idetë e tyre, deklaroi ai.
Kryeministri Mickoski theksoi se Vllehët janë pjesë përbërëse e kësaj shoqërie dhe shtoi se çdo gjuhë është një urë, ndërsa çdo traditë pasuri.
Të luftojmë së bashku për një jetë të përbashkët dhe për fitore të përbashkëta.
Vllahët janë pjesë përbërëse e kësaj shoqërie. Zëri juaj është i nevojshëm. Tregimi juaj është tregim i përbashkët. Traditat tuaja janë trashëgimi e jona kulturore.

Çdo gjuhë është një urë. Çdo traditë është pasuri. Dhe këtë e dimë dhe e ndjejmë sot, duke parë si valojnë flamuri maqedonas dhe ai vlleh – jo përballë njëri-tjetrit, por krah për krah. Kjo është Maqedonia që e duam!

Prandaj, sot nga ky vend dërgoj një mesazh për të gjithë:
Të mos lejojmë të na ndajnë!
Të mos lejojmë të harrohet kush jemi dhe çfarë jemi.
Të mos lejojmë asnjë qytetar, asnjë të ri, të ndihet i huaj në vendin e vet.

Të rinj vllehë – vendi juaj është këtu. Idetë tuaja, ëndrrat tuaja, energjia juaj – na nevojiten jashtëzakonisht. Ndihmoni të ndërtojmë një Maqedoni që do të mbetet, jo vetëm për ne – por për brezat që do të vijnë, konkludoi ai.