Në kuadër të Forumit Parlamentar Ekonomik të APM-së në Marrakesh, Mbretëria e
Marokut, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi
takim dypalësh me Kryetarin e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Marokut, Mohamed Old
Erashid.
Takimi u zhvillua në atmosferë të përzemërt dhe miqësore, me angazhim të ndërsjellë për
të thelluar bashkëpunimin midis dy institucioneve parlamentare dhe për të forcuar
marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.

Kryetari Gashi shprehu mirënjohje të sinqertë për pritjen e ngrohtë, duke theksuar se
Maqedonia e Veriut dhe Mbretëria e Marokut kanë marrëdhënie miqësore dhe të
respektueshme, me potencial të konsiderueshëm për avancimin e tyre në nivel më të thellë
strategjik.
Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e ratifikimit të Marrëveshjes për Heqjen e Ndërsjellë
të Vizave për Bartësit e Pasaportave Diplomatike, Zyrtare ose Speciale, si dhe mundësinë
e themelimit të grupeve dypalëshe të bashkëpunimit midis dy parlamenteve, të cilat luajnë
rol vendimtar dhe janë ura lidhëse midis popujve.
Kryetari i Dhomës së Lartë të Parlamentit Maroken, Mohamed Old Erashid, i uroi
mirëseardhje të ngrohtë Kryetarit Gashi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit
ndërparlamentar.
Edhe pse gjeografikisht të largëta, tha Old Erashid, Maqedonia e Veriut dhe Maroku kanë
potencial të vërtetë për bashkëpunim ekonomik dhe transparencë ndaj organizimit të
forumeve dhe takimeve të biznesit, veçanërisht në sektorët e tillë si burimet e rinovueshme
të energjisë, bujqësia dhe teknologjia.
Kryetari Old Erashid theksoi gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të urave – nismave kulturore,
që synojnë thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe miqësisë midis brezave të ardhshëm.

Në fund, u propozua që të dy vendet të thellojnë bashkëpunimin në kuadër të
bashkëpunimit parlamentar shumëpalësh me fokus në sfidat globale, siç janë migrimi,
ndryshimet klimatike, etj.
"Pres me padurim të vazhdojmë këtë bashkëpunim të frytshëm dhe të ndërtojmë lidhje më
të forta institucionale midis parlamenteve tona", tha Kryetari Gashi, duke i bërë ftesë Old
Erashidit për të vizituar Shkupin në të ardhmen e afërt.