Zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, të hënën minimizoi një incident në të cilin bashkëshortja e tij, Brigitte, u duk sikur e shtyu atë në fytyrë, kur çifti arriti në Vietnam në fillimin e një vizite në Azinë Juglindore.

Në një video, Brigitte Macron u duk sikur i dha një shuplakë bashkëshortit para se ai të zbriste nga aeroplani të dielën vonë, duke e nxitur që të tërhiqej para se të bënte gjest të përshëndetjes para kamerave te dera e aeroplanit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Bashkëshortja e presidentit për ca çaste nuk u duk te dera e aeroplanit, duke e pamundësuar pamjen e gjuhës së trupit. Më pas, çifti zbriti shkallëve të aeroplanit bashkë.

Një zyrtar i Pallatit Elysee e minimizoi skenën, duke mohuar se ajo paraqet një grindje mes çiftit, që janë të martuar nga viti 2007.

“Ishte një moment, kur presidenti dhe gruaja e tij po relaksoheshin për herë të fundit para fillimit të udhëtimit duke pasur një të qeshur” – tha zyrtari. “Ishte një moment afërsie” – shtoi ai.

Vizita e Macronit në Vietnam, e para nga një president francez për gati një dekadë, vjen në kohën kur ai po synon që ta fuqizojë ndikimin e Francës në ish-koloninë franceze.

Vietnami, vend që ka ekonomi të varur shumë nga eksporti, ka bërë koncesione me Shtetet e Bashkuara gjatë bisedimeve tregtare në përpjekje për ta shmangur taksën 46 për qind. Megjithatë, Brukseli ka shqetësime se përpjekjet e Vietnamit për të blerë më shumë mallra amerikane mund të jenë në dëm të Evropës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume