Më 31 maj 2025, në qytetin e Strugës, u hap ekspozita tradicionale vjetore e studentëve të Fakultetit
të Arteve të Universitetit të Tetovës. Kjo ekspozitë, e cila është shndërruar tashmë në një ngjarje të
rëndësishme kulturore, paraqet kulmin e angazhimit krijues të studentëve të Artit Figurativ në vitin
përmbyllës të studimeve të tyre.
Edicioni i sivjetmë u organizua nën moton “SONDER”, një koncept që reflekton ndjeshmërinë
ndaj përjetimeve të brendshme të individit dhe pasqyron vizionin artistik të një brezi të ri krijuesish.
Ekspozita solli para publikut vepra në media të ndryshme – pikturë, grafikë, skulpturë, dizajn, art
konceptual – që trajtojnë tema të ndryshme nga ato personale e intime, deri te reflektimet sociale të
kohës bashkëkohore.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë profesorë, artdashës dhe përfaqësues të institucioneve
akademike, mes tyre edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili i
përshëndeti pjesëmarrësit dhe vlerësoi punën dhe kreativitetin e studentëve. Ai shprehu mirënjohje
për mikpritjen dhe theksoi rolin e rëndësishëm që kjo ekspozitë luan në jetën kulturore të vendit dhe
më gjerë.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, theksoi se ekspozita është një moment i
rëndësishëm për afirmimin profesional të studentëve dhe një hap i mëtejshëm në rrugën e tyre
krijuese.
Studentët falënderuan në mënyrë të veçantë Prof. Ord. Dr. Mixhait Pollozhani, për mbështetjen e
tij të vazhdueshme dhe rolin e tij udhëheqës në konceptimin dhe realizimin e kësaj ekspozite, duke
e shndërruar atë në një përvojë të plotë akademike dhe artistike.
Ekspozita përfshiu punimet e studentëve: Rita Nuredini, Yllza Selimi, Azra Tairi, Dorina Shabani,
Besa Beqiri, Adem Bafqari, Bejza Shasivari, Leart Durmishi, Gentiana Hasani dhe Yllzana
Kamberi.
Në emër të studentëve, Dorina Shabani theksoi se çdo vepër është një dritare drejt botës së tyre të
brendshme dhe një ftesë për reflektim, ndjeshmëri dhe dialog artistik.
Universiteti i Tetovës dhe Fakulteti i Arteve mbeten të përkushtuar ndaj përkrahjes së talenteve të
reja dhe zhvillimit të artit bashkëkohor. Në të ardhmen, pritet që kjo ekspozitë të zgjerohet, duke
përfshirë edhe studentët e artit dramatik dhe muzikor, me synim që të marrë karakterin e një
manifestimi gjithëpërfshirës artistik.