Sot, në mbledhjen e 40-të të Këshillit për Zhvillim të Barabartë Rajonal, e cila u kryesua nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, u shqyrtuan dhe u miratuan propozim-vendimet për shpërndarjen e mjeteve nga Programi për Zhvillim të Barabartë Rajonal. Praktikisht, me këtë përfundoi faza e parë e shpërndarjes së mjeteve nga Programi Buxhetor për Zhvillim të Barabartë Rajonal dhe vendimet do t’i dorëzohen Qeverisë për miratim, me çka do të mundësohet financimi i 47 projekteve me një vlerë të përgjithshme prej rreth 116 milionë denarësh.

Projektet që do të mbështeten janë të drejtuara drejt zhvillimit të rajoneve planore, zonave me nevoja specifike zhvillimore, fshatrave dhe zonave urbane. Ky program përfaqëson një instrument kyç për sigurimin e zhvillimit të barabartë në të gjithë shtetin, pasi mjetet ndahen sipas shkallës së zhvillimit të rajoneve, ku mbështetja më e madhe u jepet rajoneve me shkallën më të ulët të zhvillimit.

“Kjo program është me rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Shpërndarja e duhur e mjeteve financiare do të kontribuojë në forcimin e komuniteteve lokale, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për jetesën e qytetarëve,” theksoi ministri Perinski pas mbledhjes së Këshillit, i cili praktikisht është një trup koordinues ndërmjet ministrive përkatëse që kanë programe buxhetore me ndikim në zhvillimin rajonal, por gjithashtu siguron koordinim me Këshillat për Zhvillim të Rajoneve Planore, ku bëjnë pjesë kryetarët e komunave nga rajoni përkatës planor.