Alarm në një qendër të DHL-së në Gjermani – të paktën 12 persona kërkojnë ndihmë mjekësore nga një substancë e dyshimtë

Të paktën 12 persona janë lënduar pasi në një paketë të dyshimtë në një qendër shpërndarjeje të DHL në Gjermani është gjetur pluhur i bardhë.
Shërbimet e emergjencës kanë ndërhyrë në mëngjesin e sotëm në magazinën në Langenzen, Burggrafenhof, pasi disa punonjës raportuan probleme shëndetësore.
Policia ka konfirmuar se bëhet fjalë për një substancë të rrezikshme dhe ka dërguar 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit. Disa të punësuar kanë pasur kontakt me pluhurin në sipërfaqen e paketës, çka u ka shkaktuar irritime fizike.
Zjarrfikësit lokalë kanë ngritur një stacion për dekontaminim. Shtatë persona janë dërguar në spital, ndërsa të tjerët janë trajtuar në vendin e ngjarjes.
Autoritetet janë duke u përpjekur të identifikojnë dërguesin e paketës. Në vendin e ngjarjes ndodhen ende ekipe për substanca të rrezikshme dhe helikopter shpëtimi. Qytetarët janë thirrur të shmangin zonën derisa të shpallet fundi i rrezikut.