Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar se vetë Ukraina e ka provokuar Rusinë të sulmojë Kharkivin, përmes operacionit të saj “Rrjeta e Merimangës”.

Në një përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari nëse operacioni “Rrjeta e Merimangës” e ka ndryshuar mendimin e tij për avantazhet që ka presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, Trump tha se kjo i ka dhënë udhëheqësit rus, Vladimir Putin një arsye për të bombarduar qytetet ukrainase.

“U dhanë Putinit një arsye për të hyrë dhe për t’i bombarduar. Nuk më pëlqeu ai operacion. Kur e pashë, thashë: ‘Ja ku jemi, tani do të ndodhë sulmi’”, tha Trump.

Kujtojmë se më 1 qershor, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës kreu një operacion special me emrin e koduar “Rrjeta e Merimangës”, duke goditur avionë strategjikë rusë në katër aeroporte.

Vasyl Maliuk, kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, deklaroi se gjatë operacionit u shkatërrua 34 për qind e aeroplanëve strategjikë mbajtës të raketave lundruese në aeroportet kryesore të Federatës Ruse.

Si përgjigje ndaj këtyre veprimeve, Rusia nisi gjatë natës mes 5 dhe 6 qershorit një seri sulmesh të mëdha ndaj Ukrainës, duke përdorur mbi 400 dronë si dhe 40 raketa lundruese dhe balistike. Sulmi shkaktoi viktima të shumta në mesin e civilëve dhe dëme të mëdha në infrastrukturë.

Sulmet vazhduan edhe këtë mëngjes, kur Rusia kreu deri tani sulmin më të madh ndaj Kharkivit.

 

https://youtu.be/gvm43EdK0Vchttps://youtu.be/gvm43EdK0Vcv