Këngëtari legjendar britanik Rod Stewart (80) është detyruar të anulojë ose të shtyjë gjithsej gjashtë koncerte të planifikuara për muajin qershor, për shkak të problemeve shëndetësore. Fillimisht, ai njoftoi anulimin e dy koncerteve me rekomandim të mjekëve, por më pas vendosi të shtyjë edhe katër të tjera ndërsa vazhdon rikuperimin nga gripi.

“Më duhet të anuloj dhe të shtyj gjashtë koncertet e ardhshme në qershor, pasi ende po rikuperohem nga gripi,” shkroi Stewart në një postim në rrjetet sociale. “Më vjen shumë keq, miqtë e mi. Jam i mërzitur për këtë dhe u kërkoj ndjesë të sinqertë fansave të mi për çdo shqetësim. Do të rikthehem në skenë së shpejti – shihemi aty!”.

Rod u shfaq për herë të parë në rrjetet sociale javën e kaluar për të njoftuar anulimin e koncertit të tij në Las Vegas për shkak të gjendjes shëndetësore. Dy ditë më vonë, ai u detyrua të anulojë edhe performancën e planifikuar për 5 qershor në të njëjtin vend.

“Mjeku më këshilloi të pushoj edhe pak, derisa të rikuperohem plotësisht nga gripi. Faleminderit për dashurinë dhe mirëkuptimin,” shtoi ai.

Anulimi i koncerteve pak javë para paraqitjes së shumëpritur në festivalin Glastonbury në Somerset, më 29 qershor, ka shkaktuar shqetësim te fansat që presin me padurim performancën e tij në këtë ngjarje të madhe muzikore.

Sir Rod ka ndarë disa detaje për atë që publiku i Glastonbury dhe shikuesit në BBC mund të presin nga shfaqja e tij, përfshirë një ribashkim emocionues në skenë me ish-anëtarin e grupit Faces, Ronnie Wood – i njohur edhe si anëtar i The Rolling Stones.

“Jam krenar që pas 22 vjetësh po kthehem në Pyramid Stage. Por, kjo do të më kushtojë goxha – rreth 300 mijë paund”, deklaroi Rod gjatë një interviste në emisionin talkSPORT Breakfast me Alan Brazil. “Duhet ta sjell gjithë bendin tim nga Amerika, dhe Glastonbury, natyrisht, nuk e mbulon këtë”.

Megjithatë, ai theksoi se çmimi nuk e pengon aspak: “Edhe po të kushtonte një milion dollarë, do të performoja. Sepse është një nder i madh. Ndoshta nderi më i madh i karrierës sime”,

Në një tjetër postim, ai shkroi me optimizëm: “Pas kaq shumë vitesh, jam krenar, i përgatitur dhe më i gatshëm se kurrë të ngjitem në skenë dhe të gëzoj miqtë e mi në Glastonbury këtë qershor. Shihemi atje!”.