Rusia ka dorëzuar grupin e parë prej 1,212 trupash të ushtarëve ukrainas në kuadër të një marrëveshjeje humanitare të arritur mes palëve në Stamboll më 2 qershor, ka bërë të ditur gjenerallejtënant Alexander Zorin, përfaqësues i grupit negociator rus.

“Në përputhje të rreptë me marrëveshjet e arritura gjatë negociatave Rusi-Ukrainë, pala ruse ka dorëzuar trupat e ushtarakëve ukrainas të përgatitur për riatdhesim në zonën e shkëmbimit”, deklaroi Zorin. Sipas tij, të gjithë trupat janë identifikuar si ushtarakë ukrainas, kryesisht nëpërmjet uniformave dhe vendndodhjes së gjetjes së tyre.

Gjenerali rus njoftoi se trenat me trupat e pajetë do të nisen drejt kufirit brenda një ore, ndërsa sqaroi se ky është vetëm grupi i parë dhe se më shumë se 6,000 trupa ukrainase janë gati për t’u kthyer në atdhe.

“Ky është një veprim thjesht humanitar, jo politik. Ne jemi të gatshëm të përmbushim marrëveshjen për kthimin e të gjithë trupave, si dhe për shkëmbimin e të burgosurve të luftës”, shtoi Zorin.

Ai theksoi gjithashtu se Rusia pret konfirmim zyrtar nga Kievi për të vazhduar me aksionin humanitar në javën e ardhshme, duke shtuar se ky nuk është shkëmbimi i parë i këtij lloji dhe, për fat të keq, as i fundit.

Ky zhvillim vjen në një moment kritik të luftës në Ukrainë dhe mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt humanizimit të konfliktit, duke i dhënë familjeve ukrainase mundësinë për t’i varrosur të afërmit e tyre me nderime.