Ylli më i njohur i TikTok në botë, u arrestua nga autoritetet amerikane të imigracionit sepse viza e tij kishte skaduar.

Kambi Lame, u arrestua të premten dhe u vendos në paraburgim të përkohshëm përpara se të lejohej të largohej nga vendi, njoftuan autoritetet amerikane të shtunën.

“ICE arrestoi 25-vjeçarin Kambane “Kambi” Lame, një shtetas italian, më 6 qershor në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reed në Las Vegas, Nevada, për një shkelje të vizës së emigracionit”, tha agjencia në një deklaratë dërguar AFP-së. Kambi Lame mbërriti në SHBA më 30 prill dhe viza e tij kishte skaduar, tha deklarata e ICE.

Me 162.2 milionë ndjekës, Kabi Lame konsiderohet si ndikuesi më i madh në platformën TikTok.

Ai u lejua të largohej “vullnetarisht” më 6 qershor dhe që atëherë është “larguar nga Shtetet e Bashkuara”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Presidenti Trump ka shtuar përpjekjet për të deportuar sa më shumë emigrantë pa dokumente nga SHBA-ja, megjithëse në disa raste praktikat janë kundërshtuar në gjykatat amerikane.

Kabi Lame, ambasador i UNICEF-it që nga janari, është bërë i famshëm për videot e tij të shkurtra e të heshtura që parodizojnë këshilla të ndërlikuara që gjenden me shumicë në internet. Me një gjest karakteristik, ai shpesh tregon se sa e thjeshtë është në të vërtetë zgjidhja e një problemi. Ideja për përmbajtjen e videove të tilla i erdhi ndërsa ecte jashtë kompleksit të banesave ku jetonte familja e tij në Chivaso, jashtë Torinos, pasi humbi punën në një fabrikë në mars të vitit 2020 për shkak të pandemisë Covid-19.

Falë videove që postoi, fama e tij u rrit ndjeshëm dhe ai u bë shumë i pasur. Sipas Forbes, i ashtuquajturi “Charlie Chaplin i epokës dixhitale” ka një pasuri prej rreth 16.5 milionë dollarësh.