Skemë mashtrimi në Turqi: 268 turistë të huaj u plaçkitën përmes kartave bankare – 29 milionë dollarë të zhdukur, 20 persona të arrestuar

Policia ka kryer aksione të koordinuara në rrethet Mugla, Izmir, Antalya dhe Stamboll.
Hetimet filluan pas një sinjalizimi nga një bankë tregtare, e cila vuri re transaksione të dyshimta në llogaritë e klientëve të huaj. Transaksionet e parregullta u gjurmuan deri te terminalet POS në dy hotele në qytetin turistik të Kuşadası.
Kryesori i dyshuar, pronar i një hoteli, dyshohet se ka mbledhur të dhëna nga kartat e kreditit të turistëve përmes rezervimeve dhe më pas i ka ndarë ato me biznese të lidhura, përfshirë hotele të tjera dhe kompani për marrje me qira të veturave.
Pasi turistët ktheheshin në vendet e tyre, nga kartat e tyre të kreditit tërhiqeshin shuma për shërbime që nuk ishin përdorur. Shuma totale e mashtrimit kap vlerën e 1.15 miliardë lirave turke (rreth 29.27 milionë dollarë).
Dyshohet se disa anëtarë të grupit kriminal kanë udhëtuar jashtë vendit për të siguruar të dhëna shtesë të kartave të kreditit, të cilat më pas janë përdorur në skemën mashtruese.
Fitimi i paligjshëm më pas është “pastruar” përmes kompanive të ligjshme të përdorura si kompani fiktive. Për të shmangur zbulimin, paratë janë transferuar në shuma të vogla përmes teknikës së njohur si “strumfimi”, ndërsa një pjesë e të ardhurave është investuar në pasuri të paluajtshme.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, bëri të ditur se janë arrestuar 20 të dyshuar, përfshirë edhe drejtuesin e grupit – pronarin e hotelit. Të paktën 268 turistë të huaj janë viktima të mashtrimit.