Ndërsa Hristijan Mickoski vazhdon me britma, fyerje dhe provokime, në mungesë të çfarëdo suksesi konkret të qeverisë që ai udhëheq, qytetarët e shohin qartë se i vetmi “program” që i ka mbetur përballë dështimeve, është urrejtja, përçmimi dhe përjashtimi i shqiptarëve, shpifjet dhe nxitja e ndarjeve ndëretnike.
Thotë se BDI-ja ka pasur 23 vite për të treguar kapacitetin?
Po, pikërisht në ato vite, vendi u bë anëtar i NATO-s, u afrua drejt Bashkimit Evropian, ndërtoi modelin më funksional të bashkëjetesës multietnike në rajon dhe kontribuoi në stabilitetin rajonal përmes dialogut dhe mençurisë.
Vendi u bë shembull për të gjithë rajonin.
Mickoski dhe partia e tij, nga ana tjetër, janë identifikuar gjithmonë me urrejtje ndëretnike, bllokada, izolim dhe korrupsion masiv.
Ata gjithmonë kanë qenë kundër çdo progresi strategjik të shtetit, nga Marrëveshja e Ohrit, te NATO e deri te BE.
Sot, përveç kompasit strategjik, e kanë humbur edhe kompasin moral.
Duke mbrojtur njerëzit e tyre të përfshirë në tragjedinë e Koçanit, janë të gatshëm të ndjekin dhe frikësojnë prindërit e viktimave, vetëm për të shpëtuar fajtorët.
Përçmimi dhe përjashtimi i shqiptarëve ndoshta mund t’i sjellë disa vota radikale brenda partisë së tij, por në afat të mesëm dhe të gjatë, ai po mbjell farën e përçarjes që do të rëndojë mbi brezat e ardhshëm.
Dhe kjo është një përgjegjësi historike që as Mickoski, e as kushdo tjetër, nuk mund ta shpërlajë me demagogji.
Ndërkohë, zëdhënësit e tij shqiptarë kanë kthyer kohën e turpshme të vasalitetit mes shqiptarëve.
Por me këtë, ata vetëm e kanë forcuar bindjen e çdo shqiptari se nderi dhe dinjiteti i kombit tonë nuk mund të shkelen nga nacionalistë të vonuar, kleptokratë të diskredituar, e aq më pak nga disa vasalë të kapur që janë kthyer në turpin e këtij populli.
BDI mbetet partia e dinjitetit, e bashkimit dhe e përparimit.
Nuk do të lejojmë që urrejtja të zëvendësojë shpresën, as që përçarja të marrë vendin e barazisë.
Shqiptarët kanë ditur t’i bëjnë ballë historisë me krenari , dhe do t’i bëjnë ballë edhe kësaj përpjekjeje të turpshme për përjashtim, përçmim dhe shtypje.
Zgjedhjet e ardhshme janë referendum , mes një Maqedonie të izoluar, të përçarë dhe të korruptuar nga njëra anë, dhe një Maqedonie evropiane, të barabartë dhe të bashkuar nga ana tjetër.