Një avokado në ditë mund të kontribuojë në një shpërndarje më të shëndetshme të yndyrës në zonën e barkut tek gratë, sipas një studimi të fundit nga Universiteti i Illinois, SHBA.

Në studim morën pjesë 105 të rritur me mbipeshë ose obezitet, të cilët konsumuan një vakt në ditë që përmbante avokado për një periudhë 12-javore. Gratë që konsumonin avokado si pjesë e vakteve të tyre kryesore ditore shfaqën një ulje të yndyrës viscerale – një lloj yndyre e rrezikshme që rrethon organet në zonën e barkut.

Rezultatet e studimit, i udhëhequr nga profesori i Kineziologjisë dhe Shëndetit Publik në Universitetin e Illinois, Dr. Naiman Khan, u publikuan në revistën Journal of Nutrition.

Qëllimi i studimit nuk ishte humbja e peshës, por analiza e mënyrës se si trupi ruan dhe shpërndan yndyrën. Duhet theksuar se në zonën abdominale akumulohen dy lloje dhjami: dhjami nënlëkuror (i vendosur poshtë lëkurës, më pak i rrezikshëm) dhe dhjami visceral (rreth organeve vitale, i lidhur me rrezikun më të lartë për diabet dhe sëmundje kardiovaskulare).

Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe, me ndryshimin kryesor që njëra grup konsumonte një avokado të freskët çdo ditë.

Në fillim dhe në fund të periudhës 12-javore, studiuesit matën nivelin e dhjamit abdominal dhe tolerancën ndaj glukozës – një tregues i rrezikut për diabetin.

Rezultatet treguan përfitime domethënëse për gratë, të cilat shfaqën një reduktim të yndyrës viscerale dhe një përmirësim të raportit mes dhjamit visceral dhe atij nënlëkuror. Në rastin e burrave, nuk u vu re ndonjë përfitim i ngjashëm, ndërsa toleranca ndaj glukozës nuk ndryshoi ndjeshëm as te burrat dhe as te gratë.

Studiuesit kanë në plan të vijojnë me kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë ndikimin e avokados në shpërndarjen e dhjamit në trup dhe për të sqaruar përse efektet ndryshojnë mes gjinive.