Deri sa afrohen zgjedhjet lokale, kanë nisur të komentohen zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, gjejgësisht kandidatët për zgjedhjet lokale. Si më i përfolur në këto zhvillime ka qenë Bilall Kasami, kryetari aktual i Komunës së Tetovës, për shkak të perceptimit se qyteti po mbyllet gjithnjë e më shumë nën drejtimin e tij.

Ky fakt është komentuar edhe nga faktori diplomatik në vend, i cili ka shprehur shqetësime për politikën e tij katër vjeçare dhe ndikimin që mund të ketë në imazhin e qytetit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen.

Vendimi për të mos dekoruar qytetin gjatë festave të fundvitit ka qenë edhe pikënisja e ngritur në qarqet diplomatike si një shqetësim i madh, duke u interpretuar nga disa si një veprim me nuanca anti-perëndimore. Sipas burimeve të afërta në rrethe diplomatike, ky vendim shihet si sinjal se drejtimi aktual i Tetovës mund ta largojë qytetin nga fryma moderne evropiane, duke e orientuar drejt një modeli më të mbyllur dhe konservator.

Portali TS mëson se kryetari Bilall Kasami nuk gëzon përkrahje apo respekt të dukshëm nga shumica e ambasadave të huaja në vend, për shkak të qasjeve që perceptohen si jo liberale dhe jo të përputhshme me vlerat qytetare të një shoqërie moderne. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, Tetova gjatë këtyre katër viteve është shndërruar në një qytet me pak zhvillim kulturor, arsimor e ekonomik, një qytet që po humb karakterin e tij të hapur dhe bashkëkohor.

Diplomatë të ndryshëm shprehin shqetësim për mënyrën se si po menaxhohet një qytet me dy universitete, që dikur luante rol të rëndësishëm në zhvillimin akademik dhe rinor në rajon. Sot, sipas tyre, qyteti është bërë më pak atraktiv për të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë largohen për fundjavë në qytete të tjera për të gjetur argëtim dhe gjallëri që Tetova nuk po e ofron më.

Mungesa e dekorimeve për festat, jo vetëm për Vitin e Ri, por edhe për muajin e Ramazanit, është komentuar jo si çështje buxheti, por si pjesë e një ideologjie të mbyllur, që ka nxitur shqetësime edhe në përfaqësitë diplomatike, ku Kasami po e çon Tetovën në një rrugë të Lindjes së Mesme.

Nuk përjashtohet mundësia që deri në zgjedhjet e ardhshme të ketë reagime më të qarta nga komuniteti ndërkombëtar për të shprehur pakënaqësinë ndaj këtij drejtimi dhe për të nxitur rikthimin e Tetovës në një kurs më të hapur, qytetar dhe pro-evropian.

Vlen të thekësohet se gjatë katër viteve nuk është se e kanë vizituar shumë ambasador të huaj kryetarin e Tetovës, Bilall Kasamin, siç duket ka qenë një injorim i heshtur i tyre që i është bërë edhe Tetovës edhe Kasamit./TS/