Sot shpallim zyrtarisht hapjen e thirrjes publike për Masën 1.1 dhe Masën 1.2, pjesë e Planit Operativ për Punësim 2025, një prej programeve më të mëdha të mbështetjes ekonomike për qytetarët.

Ky plan mbështetet nga një buxhet rekord prej 40 milionë euro, që është 7.5 milionë euro më shumë se një vit më parë, dhe përbën investimin më ambicioz të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në fushën e punësimit dhe zhvillimit social-ekonomik.

Thirrjet publike që hapen sot synojnë të mbështesin vetëpunësimin, duke u ofruar qytetarëve mundësinë për të hapur biznese të reja, për të ndërtuar diçka të tyren dhe për të ndërmarrë hapa konkretë drejt fuqizimit të tyre ekonomik. Fokusi ynë janë të rinjtë që kërkojnë një shans për të ndërtuar të ardhmen e tyre, familjet që synojnë stabilitet ekonomik, ndërmarrësit e rinj që kanë ide por mungesë mbështetjeje, si dhe personat e papunë dhe përfituesit e ndihmës sociale, të cilët kanë nevojë për një mundësi reale për t’u përfshirë në tregun e punës.

Plani Operativ për Punësim 2025 nuk përfaqëson vetëm shifra. Mbi 16.000 qytetarë do të përfshihen drejtpërdrejt, dhe secili prej tyre është një rast konkret, një histori e veçantë që kërkon hapësirë për zhvillim dhe mbi të gjitha mbështetje të merituar. Ajo që po bëjmë nuk janë masa abstrakte, por veprime të prekshme drejt një tregu pune më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.

Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar që në qendër të politikave tona të jenë të gjithë qytetarët, e sidomos të rinjtë, të cilët janë energjia më premtuese e vendit tonë. Prandaj, po investojmë vazhdimisht në masa që nxisin sipërmarrjen, zhvillimin e aftësive dhe vetëpunësimin, sepse besojmë se çdo ide që mbështetet sot është një mundësi për zhvillim nesër!