Juliana Nura ka qenë e ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka folur për zhurmën e krijuar në media pas lajmit se ajo kishte siguruar bileta për ndeshjen Shqipëri-Serbi nëpërmjet presidentit të FSHF-së, Armand Dukës. Ky i fundit ka deklaruar se nuk e njeh Julianën – një pohim që ka ngritur pikëpyetje dhe ka nxitur reagime në rrjete sociale.

Në intervistën e saj, Juliana sqaroi se ka siguruar biletat përmes kontakteve të njohura dhe se kjo është një praktikë e zakonshme për personat që punojnë në media.

“Njerëzit e Armandos ne i kemi të njohur dhe i kam bërë një telefonatë. Kam marrë dhe bileta online, për shkak të tifozave kuqezi dhe Plisat, që të mos bëhej rrëmujë. Sepse është një lojë shumë e tensionuar, me Serbinë, e dimë si është historia jonë,” – tha ajo.

Ajo shtoi se pjesë të biletave i kishte siguruar në mënyrë të rregullt, online, ndërsa pjesa tjetër nëpërmjet kontakteve, duke theksuar se për figurat publike dhe gazetarët, kjo është diçka e natyrshme.

“Ne që jemi media, që jemi në televizion, i marrim biletat sepse është diçka që na takon. Nuk e kuptoj pse u bë kaq e madhe,” u shpreh Juliana.

E pyetur nëse e njeh personalisht Armand Dukën, ajo u përgjigj se e ka hasur disa herë në ambientet e stadiumit “Air Albania”, por marrëdhënia e tyre nuk shkon përtej një përshëndetjeje formale.

“Kur kam qenë në Tiranë në ‘Air Albania’ e kam hasur disa herë, i kam dhënë dorën, por kaq”, tha ajo.

Sa i përket deklaratës së Dukës se nuk e njeh, Juliana u tregua e rezervuar, duke shtuar: “Nuk e kam parë këtë, përderisa nuk e kam parë nuk di se çfarë të them. Por për shkak imazhi… unë mendoj se është privatizuar ‘Air Albania’, është privatizuar Kombëtarja prej tij. Kështu e kuptoj, që është një biznes i tij dhe nuk do që ta dëmtojë duke thënë që i ka dërguar bileta”.

Në fund, ajo shprehu pakënaqësinë për mënyrën si po menaxhohet qasja në stadium dhe mungesën e hapësirës për tifozët e përkushtuar shqiptarë.

“Nuk është e drejtë të lësh tifozat kuqezi dhe Plisat jashtë ‘Air Albania’,” përfundoi ajo. Deklaratat e Julianës vijnë në një kohë kur ndarja e biletave për ndeshjet e rëndësishme të Kombëtares shqiptare po shihet me shumë vëmendje nga publiku dhe media.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume