Televizioni shtetëror iranian dje u bëri thirrje qytetarëve të fshijnë aplikacionin e mesazheve WhatsApp nga telefonat e tyre, duke pretenduar se ky aplikacion mbledh të dhëna personale, përfshirë edhe vendndodhjen e përdoruesve, dhe i transmeton ato te “armiku sionist”.

Irani sot njoftoi se janë arrestuar pesë persona, të identifikuar si agjentë të Mosadit – shërbimi izraelit i inteligjencës – nën akuzën se përmes internetit kanë njollosur imazhin e Republikës Islamike, raportuan disa media lokale.

“Këta mercenarë, përmes aktiviteteve të tyre të qëllimshme në hapësirën kibernetike, u përpoqën të krijojnë shqetësim publik dhe të njollosin imazhin e sistemit të shenjtë të Republikës Islamike të Iranit,”
raportuan agjencitë e lajmeve ISNA dhe Tasnim, duke cituar një njoftim të Gardës Revolucionare, ushtria ideologjike e vendit.

Arrestimet ndodhën në Iranin perëndimor, në provincën Lorestani.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Njoftimi vjen në ditën e gjashtë të konfliktit të përshkallëzuar ushtarak mes Iranit dhe Izraelit, armiku më i madh i regjimit iranian.
Të premten, një ditë pas shpërthimit të luftimeve në Izrael, Ministria iraniane e Komunikimeve shpalli kufizime të përkohshme të internetit në vend.
Që nga atëherë, shumë faqe interneti dhe aplikacione janë pjesërisht ose plotësisht të paarritshme.

Autoritetet iraniane dje u bënë thirrje qytetarëve të ulin përdorimin e pajisjeve të lidhura me internet dhe të jenë të kujdesshëm në aktivitetin e tyre online, raportoi agjencia ISNA.
Në njoftim thuhej gjithashtu se zyrtarëve shtetërorë dhe ekipeve të tyre të sigurisë u ndalohet përdorimi i çdo pajisjeje të lidhur me internetin, përfshirë telefonat, orët inteligjente dhe laptopët.

Televizioni shtetëror iranian, nga ana e tij, përsëriti dje thirrjen që qytetarët ta fshijnë WhatsApp-in, duke e akuzuar aplikacionin se mbledh të dhëna personale dhe i transmeton ato te “armiku sionist”.

WhatsApp: Nuk japim të dhëna për asnjë qeveri
WhatsApp i hodhi poshtë këto akuza.
“Jemi të shqetësuar se këto raportime të rreme mund të përdoren si justifikim për të bllokuar shërbimin tonë në një kohë kur njerëzit kanë më shumë nevojë për të.
Të gjitha mesazhet që dërgoni te familja dhe miqtë në WhatsApp janë të enkriptuara nga fundi në fund – çka do të thotë se vetëm dërguesi dhe marrësi kanë qasje në to, as WhatsApp dhe as kush tjetër. Ne nuk i japim informacione asnjë qeverie,” tha zëdhënësi i WhatsApp, që është në pronësi të grupit Meta, duke shtuar se Meta prej më shumë se një dekade publikon raporte transparence që përfshijnë rastet e rralla kur kërkohen të dhëna nga WhatsApp.