Zyrtarë të lartë amerikanë po përgatiten për mundësinë e një sulmi ndaj Iranit në ditët e ardhshme, në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, raporton “Bloomberg”, përcjell Gazeta Sinjali.

Burime të afërta me bisedimet private tregojnë se administrata amerikane po organizon infrastrukturën për një përfshirje të drejtpërdrejtë në konflikt me Teheranin, me disa plane të mundshme sulmi që përmenden për fundjavën e ardhshme.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton opsionet dhe preferon të marrë vendimin përfundimtar “një sekondë para afatit”, duke theksuar natyrën e paparashikueshme të situatës. Ai ka pohuar se mund ta ndërmarrë sulmin, por edhe mund ta shmangë, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë thekson se të gjitha opsionet mbeten në tavolinë.

Ndryshe nga qëndrimi i mëparshëm, ku Trump favorizonte bisedimet diplomatike për programin bërthamor iranian, tani ai po tregon gatishmëri për një përplasje ushtarake. Kjo pritje disa-ditore synon t’i japë Iranit kohë për të treguar gatishmërinë për të zvogëluar kapacitetet bërthamore, me shpresën për të parandaluar një sulm.
Ndërkohë, ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë do të takohen me homologun iranian në Gjenevë për bisedime bërthamore.

Irani vijon të mohojë synimet për armë bërthamore, ndërsa sulmet izraelite dhe kundërpërgjigjet iraniane me raketa dhe dronë po shtojnë tensionet në rajon.