Ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Iranit hyn në ditën e tetë, bota po mban sytë kah Presidenti amerikan, Donald Trump për të parë se çfarë do të bëjë në vijim.
Presidenti amerikan tha se do të marrë një vendim nëse do të përfshihet në luftën e Izraelit kundër Iranit në dy javët e ardhshme.
Në një deklaratë të lexuar nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, Trump tha se kishte një “shansë të konsiderueshme për negociata” me Iranin.
Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por nuk ka vendosur nëse do t’i vazhdojë ato apo jo, kanë thënë burime CBS news.
Ai thuhet se po shqyrton një sulm ndaj objektit nëntokësor të pasurimit të uraniumit të Iranit në Fordo, sipas CBS. Vetëm SHBA-të konsiderohen të kenë një bombë që mund të jetë mjaftueshëm e madhe për të shkatërruar kompleksin nëntokësor.
Konflikti midis Izraelit dhe Iranit dhe paralajmërimi i Trumpit ka mbushur edhe sot ballinat e mediave ndërkombëtare.
Presidenti Trump “duket se po e zbut qëndrimin e tij”, raporton Telegraph pasi tha se do të merrte një vendim në lidhje me nisjen e sulmeve ajrore nga SHBA-të brenda dy javësh, duke e shtyrë një veprim ndërsa ekziston mundësia e bisedimeve.
Financial Times thotë se dritarja dyjavore ngre perspektivën e bisedimeve të SHBA-së me Iranin.
Ndërsa Times e përshkruan “lehtësimin” dyjavor të Trump si një “hap prapa nga pragu i greminës”. Gazeta thotë se presidenti amerikan po kërkon një “distancim” pasi këshilltarët u shqetësuan për aftësinë e Iranit për të synuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme.
Po sot, Ministrat e jashtëm nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania do të takohen me homologun e tyre iranian Abbas Araqchi në Gjenevë, me qëllim krijimin e një rruge kthimi në diplomaci mbi programin e tij bërthamor.
Takimi vjen një ditë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vendosi një afat dy-javor për të vendosur nëse SHBA-të do t’i bashkohen luftës së Izraelit kundër Iranit, për të lejuar që negociatat të vazhdojnë.
Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, duke folur pas një takimi me homologun e tij amerikan Marco Rubio të enjten, tha se ishte “koha për t’i dhënë fund skenave të rënda në Lindjen e Mesme dhe për të parandaluar një përshkallëzim rajonal që nuk do t’i sillte dobi askujt”.
Bisedimet do të mbahen në Gjenevë, ku një marrëveshje fillestare midis Iranit dhe fuqive botërore për të frenuar programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve u arrit në vitin 2013, përpara një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në vitin 2015. Negociatat e fundit bërthamore midis Iranit dhe SHBA-së dështuan kur Izraeli nisi sulmin e tij të papritur ndaj Iranit më 12 qershor./Reporteri.net/