Një raketë balistike iraniane ra në qytetin Beersheba në jug të Izraelit të premten në mëngjes, duke lënduar lehtë shtatë persona dhe duke u shkaktuar dëme substanciale shtëpive, përderisa Izraeli e Irani e vazhduan shkëmbimin e zjarrit.

Spitali “Soroka”, i cili ishte goditur nga një sulm iranian një ditë më parë, tha se kishte pranuar shtatë persona me lëndime të lehta, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Raketa ra në një rrugë afër blloqeve banesore, duke shkaktuar një gropë të madhe dhe duke ua vënë flakën disa veturave. Zjarrfikësit shkuan me nxitim në vendin e ngjarjes për ta shuar zjarrin.

Banorët e ndërtesave të banimit, shumica prej të cilëve ishin duke u strehuar në dhomat e tyre të sigurta kundër bombave, u evakuuan nga policia, shërbimi emergjent “Magen David Adom” dhe ushtarët shpëtues.

" "

Shërbimi emergjent tha se trajtoi pesë persona që pësuan lëndime të lehta nga vala e shokut, trauma, thithja e tymit dhe ankthi akut. Ata u dërguan në spitalin “Soroka”, bashkë me të tjerë në qytet që u lënduan pasi ishin rrëzuar duke vrapuar drejt strehimoreve.

Në anën tjetër, ushtria izraelite raportoi se kishte sulmuar disa raketahedhës të raketave balistike në Iran.

Rreth orës 3 të mëngjesit, Forca Ajrore e Izraelit tha se kishte penguar tre dronë iranianë që e kishin nxitur aktivizimin e sirenave të alarmit për sulme ajrore në Detin e Vdekur./Nacionale