Në Zemrën e Arbërisë – udhëtim përtej kohës dhe kujtesës drejt Shën Mitër Korones
(Mbresa udhëtimi në margjinat e konferencës IX-të mbarëkombëtare të Arkivistikës)
Nga Prof.dr Skender ASANI
Në mes të qershorit 2023, u nisëm në një udhëtim të veçantë drejt Shën Mitër Korones në
Kalabri, Itali, për të marrë pjesë në konferencën e IX-të mbarëkombëtare të Arkivistikës. Ky
event nuk ishte vetëm një takim shkencor, por një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për
bashkimin dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare në të gjitha trevat.
Përmes bashkëpunimit midis institucioneve arkivore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së
Veriut dhe komuniteteve arbëreshe, ky udhëtim u shndërrua në një përvojë të thellë shpirtërore
dhe intelektuale, duke lidhur të kaluarën me të ardhmen e kujtesës kombëtare.
Në mëngjesin e freskët të 13 qershorit, nisëm udhëtimin tonë nga Shkupi për në Tiranë. Pas
mbërritjes në kryeqytetin shqiptar, pasdite u takuam në ambientet e Arkivit Qendror të Shtetit, ku
na u bashkuan studiuesit nga Arkivi i Kosovës. Atmosfera ishte plot entuziazëm dhe pritshmëri
për rrugëtimin që do ta bënim. Së bashku u nisëm drejt qytetit të Durrësit, ku mbërritëm në
mbrëmje të vonë dhe ankoruam në tragetin që do të na çonte në Bari, Itali.
Mëngjesin e 14 qershorit, mbërritëm në portin e Barit, duke filluar me shpresë dhe kureshtje drejt
destinacionit tonë të vërtetë: Shën Mitër Korone, një qytet që ruan me fanatizëm trashëgiminë
arbëreshe dhe kujtesën e thellë kombëtare.
Në rrugën për në Shën Mitër, ndaluam për një vizitë të paharrueshme në qytetin e lashtë italian,
Matera. Ishte një udhëtim mes gurëve që rrëfejnë historinë dhe heshtjen mijëravjeçare të një
qytetërimi të gdhendur në shkëmb. Rrugicat e ngushta, të ndriçuara nga perëndimi i diellit, të
ftonin të ecnim ngadalë dhe të ndjejmë qetësinë e lashtësisë që mbizotëronte çdo cep. Në një
qoshe të qetë, shijuam një picë tradicionale italiane me bazë të hollë, plot aromën e erëzave
freskëta, një shije që ruante me fanatizëm traditën e vendit. Ndërsa dielli perëndonte ngadalë pas
terracave prej guri, ne duhanxhinjtë e grupit ndezëm nga një cigare, një akt ky meditative, ku
tymi ngjitej në ajrin e ngrohtë dhe të qetë, duke u përzier me frymën e përjetshme të Materas, një
qytet ku koha duket se ka vendosur të pushojë.
Në mbrëmjen e të njëjtës ditë arritëm në Shën Mitër Korone, dhe në ditën pasuese, më 15
qershor u zhvilluan punimet e Konferencës mbarëkombëtare të arkivave. Kjo ngjarje shkencore
ishte më shumë se kaq – ishte një përqafim i gjallë me kujtesën kombëtare, në vendin ku historia
shqiptare ka lënë gjurmët më të thella të saj. Në godinën simbolike ku lindi Rilindja Kombëtare,
dhe ku vepruan dhe mësuan figura si Jeronim De Rada, Luigj Gurakuqi dhe Avni Rrustemi, pata
nderin të mbaj një fjalim rasti. Në mes tjerash theksova se ndodheshim në një vend që nuk ruan
vetëm kujtime, por mishëron vetë shpirtin e kombit. Në këtë kuadër, i dhurova një pullë postare
me figurën e Luigj Gurakuqit kryetarit të komunës, z. Mateo, si një shenjë simbolike e lidhjes
sonë të përbashkët me trashëgiminë.
Në fjalën time gjithashtu përmenda kontributin e mikut dhe kolegut tim nga Tirana, Ardit Bidos,
për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e institucioneve tona shkencore shqiptare, duke
shpresuar që ky mision të vazhdojë edhe në angazhimin e tij të ri politik si deputet. Një vend të
veçantë ia kushtova profesor Francesco Altimarit, jo vetëm studiues i çmuar, por edhe ura
shpirtërore e arbëreshëve, lidhja që i mban ata të bashkuar me Arbërinë përtej kohëve.
Shën Mitri nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një tempull i kujtesës dhe nostalgjisë
shqiptare, që na fton të jemi bartës të këtij identiteti të përjetshëm.
Në kuadër të konferencës pata mundësinë të prezantoj një temë përkujtimore për 100-vjetorin e
vrasjes së Luigj Gurakuqit. Në Liceun e Shën Mitrit, ku Gurakuqi ishte nxënësi i fundit i
rilindasit Jeronim De Rada, fjalimi im ishte një përkulje para kujtesës dhe hulumtimeve në
Arkivin Qendror të Kroacisë. Për herë të parë solla dokumente të paeksponuara më parë, që
hedhin dritë mbi motivet politike të mbretit Zog në lidhje me atentatin ndaj Gurakuqit, duke
sfiduar narrativën e heshtur të historisë. Gjithashtu, rikujtova pllakat përkujtimore dhe
publikimin e një pulle postare nga Postat e Maqedonisë në nder të figurës së Luigj Gurakuqit, një
akt i vogël por me domethënie të madhe për ruajtjen e kujtesës kolektive në diasporë.
Takimet me personalitete të shquara si kryetari i Komunës, z. Ernesto Madeo, dhe profesor
Francesco Altimari, albanolog i njohur, sollën reflektime të thella mbi rëndësinë e shkencës në
lidhjen e së kaluarës me të ardhmen. Prania e z. Mehmed Xhemajli, drejtor ekzekutiv i Arkivit të
Kosovës, pasuroi diskutimet me eksperiencën e tij në fushën e arkivistikës modern, me theks të
veçant në domosdoshmërinë e bashkëpunimit mbarëkombëtar.
Pas përfundimit të konferencës, vizituam Machia e Jeronim de Radës, shtëpinë muze të tij, ku
çdo cep tregonte përkushtimin ndaj gjuhës, kombit dhe identitetit arbëresh. Një tjetër ditë e
mbushur me përjetime të thella ishte ajo e 16 qershorit, kur vizituam qytetin e Rossanos dhe
Muzeun e Kodikëve, aty ku ruhej Kodiku Purpur i Rossanos – një nga dorëshkrimet më të rralla
të qytetërimit. Ishte një takim me ndërgjegjen historike të njerëzimit, i cili ngjason thellësisht me
Kodikun e Beratit, një tjetër pasuri kombëtare shqiptare dhe pjesë e trashëgimisë botërore të
UNESCO-s. Mikpritja e ngrohtë dhe fjalët e Imzot Mons. Maurizio Aloise i dhanë kësaj vizite
një dimension shpirtëror të veçantë.
Pas vizitës në Rossano, ndaluam në Kishën e Achiropitës, një vend shenjtërie me afreske të rralla
dhe një ndjenjë paqeje të thellë, ku reflektimi dhe besimi bashkohen në një përvojë unike
shpirtërore.
Më pas, udhëtimi na çoi në qytetin e Kozencës dhe Universitetin e njohur me të njëjtin emër, ku
katedra albanologjike dhe biblioteka e saj përfaqësonin një arkiv të gjallë të ndërgjegjes
kombëtare. Aty pata nderin t’i dhuroj profesor Altimarit një pullë postare për 100-vjetorin e
rënies së Luigj Gurakuqit. Në shenjë mirënjohjeje, profesori më dhuroi kompletin e veprave të
Jeronim De Radës dhe librat e albanologut Francesco Solano – një trashëgimi që do të shoqërojë
rrugëtimin tonë profesional.
Mbrëmja e 16 qershorit na gjeti në Shën Sofia e Epirit, ku emrat e rrugëve dhe busti i Gjergj
Kastriotit Skënderbeut dëshmonin për lidhjen e pashkëputshme midis shqiptarëve dhe
arbëreshëve.
Më 17 qershor, rrugës për në Bari, ndaluam në Alberobello, qyteti i famshëm me shtëpitë "trulli"
– një peizazh unik mes gurit të bardhë dhe historisë popullore italiane. Në heshtjen e atij çasti,
shijuam një kafe italiane, duke ndjerë ritmin dhe qetësinë e jugut.
Në mbrëmje u rikthyem në Bari, ku manifestimet e arkivistikës u përmbyllën në Arkivin e Barit
me ekspozitën kushtuar 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit. Dhurimi i pulës postare
drejtorit të Arkivit të Barit, z. Adriano Buzzaka, u prit me emocion të thellë. Prezantimi i
dokumenteve origjinale për atentatin ndaj Gurakuqit, si procesverbalet dhe raportet, ngjalli
diskutime dhe reflektime të thella.
Ky rrugëtim mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, i gërshetuar me mikpritjen e komunitetit
arbëresh dhe institucioneve italiane, tregoi se historia jonë e përbashkët është një urë që forcohet
çdo ditë me veprime dhe kujdes institucional.
Në çdo qoshe të qyteteve dhe fshatrave, pritja ishte e shoqëruar me këngë dhe valle tradicionale
arbëreshe, që nuk ishin thjesht shfaqje folklorike, por një shprehje autentike e shpirtit dhe
identitetit arbëresh. Kënga dhe vallja u bënë ura komunikimi midis brezave, duke krijuar një
atmosferë feste dhe bashkimi ku kultura dhe historia jonë gjenin jehonë të gjallë. Ky gjest
mikpritjeje e bëri udhëtimin tonë edhe më të paharrueshëm, duke na kujtuar se trashëgimia jonë
nuk është vetëm e ruajtur në dokumente dhe arkiva, por edhe në zemrat dhe gëzimet e
komunitetit që e përjeton atë çdo ditë.
Për rrjedhojë, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë së shqiptarëve në diasporë, sidomos në
komunitetet e vogla dhe të rrezikuara nga asimilimi, duhet të jetë një alarm i përhershëm për
institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës. Kujdesi për pjesët anësore të kombit dhe për
mërgatën shqiptare nuk mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ apo simbolik – ai duhet të
përkthehet në veprime konkrete dhe të koordinuara ndërinstitucionale. Globalizmi, rrjetëzimi
kulturor dhe format e tjera të ndikimit të jashtëm po krijojnë rrethana të reja që rrezikojnë
zbehjen e identitetit shqiptar në këto mjedise të brishta. Në këtë drejtim, modeli që duhet të
praktikojnë institucionet shtetërore shqiptare është pikërisht modeli i suksesshëm institucional i
bashkëpunimit ndërmjet Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivit të Kosovës në Prishtinë
dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, të cilët prej më
shumë se një dekade kanë ndjekur një rrugëtim të përbashkët profesional e kombëtar në çdo cep
të vendbanimeve shqiptare. Ky model jo vetëm që ka dëshmuar efikasitet në fushën e
arkivistikës dhe dokumentimit të kujtesës, por ka shërbyer edhe si platformë e gjallë për
bashkërendim kulturor, hulumtim historik dhe mbrojtje të identitetit në përmasa
mbarëkombëtare.
Ky udhëtim dhe pjesëmarrja në Konferencën e IX mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër
Korone përbën një moment kyç në përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe
kulturor mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Në zemër të Kalabrisë, ku ruhet trashëgimia arbëreshe,
u ringritën ura komunikimi midis institucioneve arkivore, studiuesve dhe komuniteteve, duke
rikonfirmuar rëndësinë e kujtesës historike si një vlerë të përbashkët dhe motor për zhvillimin e
mëtejshëm të identitetit kombëtar. Dokumentet e zbuluara dhe diskutimet shkencore gjatë
konferencës jo vetëm që thelluan njohuritë mbi ngjarjet historike, si vrasja e Luigj Gurakuqit, por
edhe forcuan ndërgjegjësimin për nevojën e ruajtjes së integritetit, të kujtesës kolektive në kohët
moderne. Ky takim shënoi një hap përpara në rrugën e dialogut mbarëkombëtar dhe
bashkëpunimit që do të ndikojë pozitivisht në promovimin e shkencës, kulturës dhe identitetit
shqiptar në arenën ndërkombëtare.