Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se sulmet ajrore amerikane ndaj Iranit përbëjnë një “agresion absolutisht të paarsyeshëm” dhe theksoi se “nuk ka asnjë justifikim apo bazë për veprime të tilla”.

Putin i bëri komentet në Moskë, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Arakçi, në kohën kur po vijon përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së.

“Kjo është një agresion i paprovokuar kundër Iranit. Nuk ka asnjë bazë apo justifikim për këtë,” – tha presidenti rus.

Ai shtoi se qëndrimi i Rusisë për zhvillimet aktuale është shprehur qartë edhe nga Ministria e Jashtme ruse.

" "

Moska dënon sulmet dhe bën thirrje për zgjidhje diplomatike

Më herët, Ministria e Jashtme ruse publikoi një deklaratë zyrtare ku e dënonte ashpër sulmin amerikan ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe kërkonte ndërprerje të menjëhershme të agresionit, si dhe intensifikim të përpjekjeve diplomatike për uljen e tensioneve.

Konflikti u ndez më 13 qershor, kur Izraeli filloi një ofensivë ushtarake ndaj Iranit, dhe Republika Islamike reagoi brenda më pak se 24 orësh me një kundërsulm. Të dyja palët kanë raportuar të vrarë, të plagosur dhe dëmtime në objektiva strategjike.

Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt në konflikt në natën e 22 qershorit, duke bombarduar tre objekte bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan.